VIDEO/ Richarlison “zjarr”, Brazili thyen Gjermaninë. Dobët Franca e Argjentina

schedule15:37 - 22 Korrik, 2021

schedule 15:37 - 22 Korrik, 2021

Brazili fitoi 4-2 ndaj Gjermanisë në duelin e Lojërave Olimpike të Tokios. Kombëtarja latine iu fal një Richarlison në formë fantastike, i cili realizoi tre gola brenda 23 minutave në pjesën e parë.

45 minuta perfekte për Brazilin dhe sulmuesin e Everton. Rezultati do të ishte më i thellë nëse “Pancerat” nuk do të shpëtonin në disa raste nga pritjet e Florian Muller, portierit të Stuttgart.

Matheus Cunha humbi një penallti për Brazilin në limitet e fraksionit të parë të takimit. Pushimi i bëri mirë Gjermanisë, që ia doli të shënojë dy gola me anë të Nadiem Amirit dhe Ragnar Ache.

Gjithsesi, Brazili realizoi një tjetër gol në minutat shtesë të takimit dhe mori tre pikët e para në grupin D pas suksesit me “poker”.

Keq nisën Lojërat Olimpike të Francës, që humbi 4-1 ndaj Meksikës. “Veterani” Andre-Pierre Gignac shënoi golin e nderit për kombëtaren olimpike franceze. Spanja nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola ndaj Egjiptit.

Dobët në start edhe Argjentina, që doli pa pikë nga sfida me Australinë. “Kangurët” fituan 2-0 falë golave të Lachlan Wales dhe Marco Tilio. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!