VIDEO/ Reali befasohet nga Cadiz në shtëpi, Bayern i jep “dajak” Arminias

schedule20:38 - 17 Tetor, 2020

schedule 20:38 - 17 Tetor, 2020

Real Madrid befasohet në shtëpi nga Cadiz, që ka bërë një nisje surprizuese të kampionatit. Miqtë ia dolën të fitojnë me rezultatin e ngushtë 0-1, falë një goli të shënuar nga Lozano pas 16 minutash lojë. Tre pikë të tjera për Cadiz, që numëron 10 pikë pas 6 javësh kampionat dhe renditet momentalisht në vendin e dytë pas Realit që ka të njëjtën kuotë pikësh.

Cadiz mund të kishte shënuar edhe golin e dytë, por Sergio Ramos u bë shpëtimtar i skuadrës së tij duke e hequr topin në vijën fatale. Gjithsesi ajo përpjekje e bërë nuk është se i vlejti në fund, pasi Reali u mund.

Trajneri Zinedine Zidane hodhi në fushë edhe Luka Jovic dhe serbi shënoi, por në pozicion jashtë loje. Përpjekjet e Realit deri në fund të ndeshjes ishin të kota, pasi Cadiz ia doli të mbronte epërsinë dhe të largohej nga fusha e blertë me pikët e plota.

BUNDESLIGA – Bayern Munich ka bërë detyrën në transfertë kundër Arminia Bielefeld dhe sërish me katër gola. Kampionët e Gjermanisë triumfuan me rezultatin 1-4 dhe protagonistë absolutë ishin Thomas Muller dhe Robert Lewandowski.

Mesfushori pas tetë minutash lojë e zhbllokoi ndeshjen, ndërkohë që më pas i la radhën polakut që realizoi edhe dy gola të tjerë në pjesën e parë të takimit.  Fraksioni i dytë i lojës nisi me gol dhe ishet Muller këtë herë ai që shënoi sërish.

RASTET DHE GOLAT E NDESHJES BIELEFELD-BAYERN MUNICH

Doan për Arminia Bielefeld realizoi golin e nderit, pasi në fund skuadra e tij u mposht. Humbje e pritshme për ta, ndërkohë që Bayern Munich ngjitet në vendin e dytë në renditje me 9 pikë pas katër javësh kampionat. /abcnews.al