VIDEO/ Përmbysje me “poker” e United, Getafe trondit Barcelonën

schedule22:59 - 17 Tetor, 2020

schedule 22:59 - 17 Tetor, 2020

Barcelona nuk gjen qetësi as me Koeman, teksa sonte ka pësuar humbjen e parë në kampionat me rezultatin 1-0. Katalanasit u thyen në transfertë nga Getafe, që iu fal golit të vetëm të shënuar nga Jaime Mata përmes penalltisë.

Katalanasit, edhe pse dominuan në mbajtjen e topit, nuk kishin rrezikshmërinë e duhur. Getafe në daljet e saj e vuri disa herë në siklet Barcelonën dhe në një prej aksioneve edhe fitoi penalltinë që i dha triumfin. Ky ishte një tjetër rezultat surprizë në La Liga, pasi më parë ishte mundur edhe Real Madrid.

PREMIER LEAGUE – Zhvendosemi në Angli, aty ku Manchester United mposhti me përmbysje 4-1 skuadrën e Newcastle. Miqtë e kanë parë veten në epërsi shumë shpejt, pasi Luke Shaw devijoi një top që u ndal në rrjetën e portës së skuadrës së tij. Të besuarit e Solskjaer nuk mund ta pranonin disavantazhin dhe u hodhën në sulm.

Në të 20’ Bruno Fernandes shënoi, por VAR dalloi një pozicion jashtë loje dhe “Djajtë e kuq” duhet të provonin sërish për të shënuar. Tre minuta vonoi goli, pasi kapiteni Harry Maguire me kokë i ndëshkoi “Qymyrxhinjtë” pas një goditjeje këndi.

Fraksioni i parë i lojës u mbyll në barazim 1-1, ndërkohë që në pjesën e dytë Bruno Fernandes pati mundësinë t’i jepte epërsinë skuadrës së United. Nga penalltia nuk shënoi dot për meritë të Darlow, i cili e grushtoi topin.

Portugezi gaboi pas penalltisë së 11-të, pasi të gjitha të tjerat me fanellën e skuadrës së anglezëve kishte shënuar. Gjithsesi ai e shleu gabimin, duke shënuar golin e fitores katër minuta para përfundimit të ndeshjes. Wan-Bissaka dhe Rashford realizuan edhe dy gola të tjerë në shtesë dhe plotësuan pokerin. /abcnews.al