Zbardhen të tjera detaje në lidhje operacioni e zhvilluar nga Policia e Vlorës, në fshatin Bishan, ku u zbulua një parcel me kanabis mes misrit.
Të arrestuar janë shtetasit Skënder Llanaj, Danielo Llanaj dhe Bujar Hoxhaj.
Ndërkaq, nën hetim janë kryeplaku i fshatit Bishan dhe 3 punonjës policie, pasi dyshohet se shpërdoruan detyrën duke mos përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë për kontrollin e zonës.
Gjatë operacionit, në fshatin Bishan, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara mes një parcele me misër, në pronësi të shtetasit Danielo Llanaj, 4930 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në afërsi të kësaj parcele është zbuluar një magazinë e përshtatur për tharjen e bimëve narkotike dhe përgatitjen e lëndës narkotike, në pronësi të shtetasit Skënder Llanaj.
Në këtë magazinë janë gjetur 198 kg lëndë narkotike në proces tharjeje, 2 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh luftarak, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale./abcnews.al