VIDEO/ Pak çaste pas vrasjes së Klodian Rashës, çfarë filmoi dëshmitari që pa ngjarjen

schedule23:07 - 15 Dhjetor, 2020

schedule 23:07 - 15 Dhjetor, 2020

Ndonëse kishte kaluar mesnata dhe lëvizjet në kryeqytet ishin të pakta për shkak të kufizimit të lëvizjes, ka qenë një shofer, i cili ka filmuar se çfarë ka ndodhur disa momente pas vrasjes së Klodian Rashës. Bëhet fjalë për drejtuesin e automjetit “Shevrolet” që ndalohet fillimisht nga efektivi Nevaldo Hajdaraj dhe kolegu i tij para se të ndiqej dhe më pas të qëllohej 25-vjeçari. Në të gjithë ngjarjen, shoferi del nga makina vetëm pas të shtënës së parë të policit. Pas kësaj, efektivët i kanë kërkuar atij të largohet.

Në këto pamje të siguruara të publikuara mbrëmjen e kësaj të marte në Opinion, shihet momenti kur forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje. Bëhet fjalë për disa makina policie, motorë të “Shqiponjave” dhe rreth 16 efektivë të rendit.

 

“Kjo është video e filmuar nga një prej personave dëshmitarë, të cilët janë marrë në pyetje nga prokuroria. Është drejtuesi i automjetit. Po të kthehemi në videon e parë është një drejtues mjeti i cili del pas të shtënës së policit për të parë se çfarë po ndodhte, për herë të parë pas 2 minutash e 43 sekondash që zhvillohet e gjithë ngjarja. Është ky person i cili pas disa minutash i është thënë të largohej dhe ka filmuar teksa është rrotulluar.

Ka ikur, i kanë thënë të largohet pa i verifikuar dokumentet dhe është dashur 5 ditë që të gjendej se kush ishte personi i cili kishte qenë në automjetin privat. Është rrotulluar në krahun tjetër të rrugës dhe ka bërë një video. Ora që pretendon zotëria rreth orës 1:16. Shiko makinat e policisë, 1, 2, furgoni kemi 3 motora të  “Shqiponjave”, rreth 16 punonjës policie, kemi 2 makina të tjera. Në këtë video nuk kuptohet është transportuar drejt spitalit, apo jo”, tha gazetari Spartak Koka.

Një natë më parë, u publikuan pamjet e fiksuara nga këndi i një kamere, ku duken lëvizjet e Klodian Rashës dhe të patrullës policore që mbërrin në rrugën “Dritan Hoxha”. E gjithë ngjarja, që nga momenti kur Klodian Rasha qëndronte në anë të rrugës dhe deri në momentin që vritet nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj ka zgjatur 2 minuta e 43 sekonda.