Të paktën 12 ushtarë të qeverisë dhe luftëtarë kurdë në Kobani u vranë pas operacionit ushtarak turk që filloi në mesnatë.
Duke folur për një operacion shumë të mirëplanifikuar, në Qendrën Operative të Forcave Ajrore ishte i pranishëm edhe ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, i shoqëruar nga komanda e forcave të armatosura.
Madje ministri turk i Mbrojtjes dha urdhër për fillimin e operacionit.
Ministria turke njoftoi se operacioni u krye në bazë të të drejtave të vetëmbrojtjes që rrjedhin nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, me qëllim eliminimin e sulmeve terroriste nga Iraku verior dhe Siria. Qëllimi, thotë Ankaraja, është sigurimi i kufijve dhe eliminimi i terrorizmit në burimin e tij.
“Ju keni përfunduar me sukses operacionin. Ne jemi krenarë për këtë”, u tha Akar pilotëve në radio pasi bombardimet përfunduan dhe aeroplanët u kthyen në bazat e tyre.
“Qëllimi ynë është siguria e 85 milionë qytetarëve tanë dhe kufijve dhe t’i përgjigjemi çdo sulmi tradhtar ndaj vendit tonë,” tha Akar, i cili tha se operacioni kundër objektivave terroriste në Irakun verior dhe Siri që nga mesnata ishte planifikuar dhe ekzekutuar me kujdes.
Lexo edhe: “Ka ardhur ora e llogarisë”, Turqia nis hakmarrjen pas shpërthimit me bombë në Stamboll, godet objektivat në Siri
Operacioni, tha ai, ishte planifikuar mirë për të shmangur viktimat civile.
“ Strehëzat, depot e terroristëve, shpellat, tunelet u shkatërruan me sukses të madh. I pamë nga afër. Shtabi i organizatës terroriste u godit dhe u shkatërrua me goditje direkte. Vetëm terroristët dhe strukturat që u përkisnin terroristëve u shkatërruan” , tha ai.
Në të njëjtin kontekst, ai shprehu vendosmërinë dhe aftësinë e Turqisë për të shpëtuar vendin dhe kombin nga terrorizmi.
Forcat kurde folën për “bombardim ajror nga ushtria turke” kryesisht në qytetin e Kobanit, në verilindje të Sirisë dhe në dy fshatra.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi 12 të vdekur, anëtarë të Forcave Demokratike Siriane dhe gjashtë ushtarë sirianë. Në total janë regjistruar më shumë se 20 goditje të ushtrisë turke./Abcnews.al/