VIDEO/ Një portugez nderon Barçën në Andaluzi, PSG fiton klasiken e Francës

schedule22:57 - 7 Shkurt, 2021

schedule 22:57 - 7 Shkurt, 2021

Fitore jashtë fushe për Barcelonën dhe PSG. Ekipi katalanas triumfoi 2-3 në fushën e Betis, ndërsa kampionët e Ligue 1 fituan 0-2 klasiken e futbollit francez përballë Marseille.

Përballje e bukur dhe spektakolare në Andaluzi. Pjesa e parë u mbyll më avantazhin e Betis, që iu fal golit të sulmuesit Borja Iglesias. Fraksioni i dytë dhuroi shumë emocione.

Leo Messi riktheu baraspeshën me një goditje të saktë (59′), teksa një aksion fantastik i Barcelonës u finalizua me autogolin e Victor Ruiz (68′). Betis reagoi dhe gjeti golin e barazimit shtatë minuta më vonë. Mbrojtësi Ruiz shleu gabimin dhe mposhti me kokë gjermanin Ter Stegen.

Gjithsesi, katalanasit nuk e kishin thënë akoma fjalën e fundit dhe realizuan golin e fitores tre minuta përpara fundit të takimit. Portugezi Trincao shfaqi klasin e tij, veprim që lumturoi edhe trajnerin Koeman. Suksesi i gjashtë radhazi jashtë fushe në La Liga për Barcelonën dhe vendi i dytë bashkë me Real Madrid (nga 43 pikë).

PSG zgjidhi gjithçka në pjesën e parë në fushën e Marseille. Kylian Mbappe zhbllokoi takimin në minutën e nëntë. Ylli francez finalizoi një kundërsulm perfekt të kampionëve të Francës, të cilët festuan sërish çerek ore më vonë.

Mauro Icardi dërgoi në rrjetë një kros të Florenzit dhe PSG në avantazh të dyfishtë. Payet u ndëshkua me të kuq në minutën e fundit dhe vendasit e mbyllën ndeshjen me dhjetë lojtarë.

Fitorja e sotme e rikthen PSG në vend të tretë me 51 pikë, tre më pak se Lille kryesuese dhe një më pak se Lyon i vendit të dytë. Marseille mbetet në vend të nëntë me 33 pikë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!