VIDEO/ Morata protagonist, Juventusi triumfon me përmbysje ndaj Lazios

schedule22:37 - 6 Mars, 2021

schedule 22:37 - 6 Mars, 2021

Juventusi thyen Lazion 3-1 dhe siguron fitoren e dytë radhazi në shtëpi. Triumf me përmbysje për bardhezinjtë e Pirlos, të cilët vijojnë të ndjekin Interin kryesues (zikaltrit numërojnë 7 pikë më shumë), teksa Milani i vendit të dytë është vetëm një pikë larg.

Skuadra e Simone Inzaghit e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në avantazh pas çerek ore lojë. Gafë e Kulusevskit dhe marshim i Joaquin Correas drejt portës kundërshtare. Sulmuesi argjentinas dribloi Demiral dhe dërgoi topin në rrjetë falë një goditje të saktë.

Vendasit nuk u pajtuan me këtë rezultat dhe barazuan takimin në minutën e 39-të. Asist i Alvaro Moratës dhe finalizim fantastik i Adrien Rabiot, i cili gjeti golin e dytë për këtë sezon në Serie A.

Juventusi e filloi mirë fraksionin e dytë të ndeshjes dhe Alvaro Morata mbylli ndeshjen me dy gola të realizuar për tre minuta. Në fillim tundi rrjetën e Pepe Reinas pas një asisti të Federico Chiesa, teksa më pas ktheu në gol një penallti të fituar nga Aaron Ramsey.

Andrea Pirlo hodhi në fushë edhe Cristiano Ronaldon, por takimi nuk prodhoi më gola, pavarësisht dëshirës së Lazios (mbetet në vend të shtatë), që nuk u dorëzua deri në fund. Thomas Strakosha e ndoqi sfidën nga stoli për bardhekaltrit, teksa Vedat Muriqi u fut në fushë në minutën e 82-të. /abcnews.al