VIDEO/ Momenti kur avioni Canadair i Greqisë ndërhyn për të shpëtuar Sazanin nga flakët

schedule09:44 - 7 Qershor, 2022

schedule 09:44 - 7 Qershor, 2022

Pas një operacioni prej 4 ditësh për vënien nën kontroll dhe fikjen e zjarrit në ishullin e Sazanit, u vlerësua e nevojshme ndërhyrja nga ajri.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm një avion tip Canadair CL 415 që vjen nga Greqia është aktivizuar për shuarjen nga ajri të zjarrit që ka përpirë shkurre e pisha në ishull prej ditësh.

Ministria e Mbrojtjes thotë se Avioni Canadair CL 415 do të hyje në operacion për shuarjen e zjarrit nga ajri si mbështetje e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, Emergency Response Coordination Centre (ERÇ), pas kërkesës së bërë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

“Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan. Ekspertët vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për ndihmën e pakursyer në emergjenca të tilla dhe jo vetëm”, shkruan në rrjetet sociale ministri Peleshi.

Avioni Canadair CL-415 është projektuar posaçërisht për shuarjen e zjarrit nga ajri, por ai mund të kryejë edhe role të tjera të ndryshme, të tilla si kërkim-shpëtimi dhe transporti.

Prej disa ditësh, dhjetra ushtarë dhe zjarrfikës janë angazhuar për të shuar zjarret në ishullin e Sazanit, një ishull i pabanuar dhe që nuk dihet arsyeja e rënies së flakëve.

/abcnews.al