VIDEO/ Mbrëmje barazimesh, Marseille dhe Montpellier ndahen “në paqe”, Mallorca e Muriqit ndalet në barazim nga Osasuna

schedule23:28 - 31 Mars, 2023

schedule 23:28 - 31 Mars, 2023

Përveç Bundesligas gjermane, mbrëmjen e sotme nisën gjithashtu dhe java e 29-të dhe 27-të, respektivisht e Kampionatit francez të futbollit Ligue 1 dhe La Liga-s spanjolle, ku ashtu si në Gjermani edhe këto 2 sfida u mbyllën në barazim.

Në Ligue 1, Marseille priti në “Stade Velodrome” rivalët e Montpellier, në përballjen e cila përfundoi me rezultatin “e paqtë” 1 me 1, me golat që u shënuan që në pjesën e parë të lojës. Fillimisht ishin miqtë e Montpellier, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 12’-të falë golit të Arnaud Nordin, ndërsa për vendasit golin e vetëm të sfidës e shënoi ish-mesfushori i Arsenal, Matteo Guendouzi në minutën e 44’-rt pas ekzekutimit perfekt të një 11-metërshi.

Pas këtij barazimi, Marseille vazhdon të mbajë vendin e 2-të në renditje teksa pas javës së 29-të numëron plot 60 pikë, duke qëndruar momentalisht në zonën e kualifikimit direkt për sezonin e ardhshëm të UEFA Champions League, ndërsa përsa i përket miqve të Montpellier ata janë ngjitur në kuotën e 37 pikëve dhe aktualisht vendosen në mesin e tabelës ose e përkthyer ndryshe në javën e 11-të në renditje.

Ndërkaq, në Spanjë, në arenën “Visit Mallorca Estadio”, Mallorca e Vedat Muriqit është “përplasur” me Osasunan, ndeshje kjo e cila përfundoi me rezultatin “e bardhë”, 0 me 0, ku edhe pse mbetën me 10 lojtarë në fushën e lojës pas daljes me karton të kuq në minutën e 69’-të të qendërmbrojtësit Jose Copete, vendasit arritën të dilnin me 1 pikë nga kjo përballje.

Pas këtij rezultati Mallorca ruan pozitat e saj në klasfikimin e La Liga, me 33 pikët e grumbulluara deri më tani, që mjaftojnë për të vendosur skuadrën e Muriqit, në vendin e 11-të, ndërsa Osasuna duket se ka përfituar nga pika e “rrëmbyer” sonte teksa ka arritur të ngjitet me 1 pozicion në renditje dhe aktualisht renditet e 9-ta, me plot 35 pikë. /i.m /abcnews.al 

SHIKONI GOLAT: 

Marseille 1-1 Montpellier