Një i ri shqiptar u sulmua barbarisht nga dy persona në Bronx të New York-ut.
Sipas familjarëve të viktimës, 25-vjeçari u sulmua rastësisht. Gjithçka ndodhi të premten, kur teksa ecte në trotuar një grua pështyu në atletet e të riut. Kur shqiptari u kthye për të pyetur pse, u dhunua barbarisht nga dy persona ende të paidentifikuar.
Gjithçka është filmuar nga kamerat e sigurisë, ku shqiptari goditet me grushta vazhdimisht.
Familjarët e të riut thanë se ai ishte rrugës për të marrë fotot e pasaportës që do i duheshin për një takim në lidhje me kartën e gjelbër.
Por në vend të takimit, shqiptari e kaloi pasditen në një spital në New York. Ai pritet t’i nënshtrohet një operacioni pasi i është thyer nofulla.
“Rastësisht. Aty mund të jetë nëna, babai, motra, vëllai, mund të jem unë. Mund të jesh ti. Është turp për Bronx-in, turp për zonën. Të gjithë duhet të bëjnë kujdes në zonë, pasi këta dy persona janë akoma të lirë”, tregon, Markel Godinj, vëllai i të riut shqiptar.
Familjarët shpresojnë që dëshmitarë të ndryshëm t’i japin informacione policisë, e cila njofton se po kërkojnë për të dyshuarit./abcnews.al