VIDEO/ Gola, penallti dhe tre kartonë të kuq: Kukësi fiton me “tris” dhe i afrohet Tiranës

schedule22:40 - 11 Korrik, 2020

schedule 22:40 - 11 Korrik, 2020

Kukësi nuk mund të mos shfrytëzonte barazimin 1-1 në derbin mes Partizanit dhe Tiranës dhe fitoi 3-0 kundër Teutës në “Elbasan Arena”. Të tre golat u shënuan në pjesën e parë dhe djemtë e Shehit e kanë ulur në katër pikë diferencën me Tiranën kryesuese, kur kanë mbetur edhe tre javë deri në fund të sezonit.

Sfida u hap shumë shpejt. Vesel Limaj realizoi një eurogol në minutën e pestë pas një goditje fantastike me të majtën. Vendasit nuk u ndalën dhe dyfishuan në minutën e 12-të. Abazaj dhuroi një asist për Goodberg Cooper dhe 22-vjeçari nuk gaboi.

Sulmuesi shënoi sërish në minutën e 35-të, duke gjetur golin e tretë në dy ndeshje, dhe ishte sërish Abazaj ai që i dhuroi asistin. Pjesa e parë nuk dhuroi më gola, ndërsa 45 minutat e dyta prodhuan një penallti të humbur dhe tre kartonë të kuq.

Aleksi (55) dhe Beqja (66′) lanë miqtë nga Durrësi me nëntë lojtarë, ndërsa Musolli nuk shënoi nga pika e penalltisë në minutën e 67-të. Goditja e kapiteni u prit nga portieri Stivi Frashëri. Edhe Kukësi e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak.


Gëzim Krasniqi frenoi në mënyrë të parregullt Çyrbjen në minutën e 84-t dhe u largua pas kartonit të dytë të verdhë. Në fund 3-0 për Kukësin, që vijon të besojë se mund t’ia rrëmbejë bardhebluve vendin e parë. /abcnews.al

Kategoria Superiore
Kukësi-Teuta 3-0
(Limaj 5′, Cooper 12′, 35′)

 

Renditja e Superiores