Sfidë spektakolare në kryeqytet mes Romës dhe Juventusit. Gola të bukur, dy penallti, një karton i kuq dhe asnjë fitues. Ndeshja ku Marash Kumbulla debutoi me ngjyrat verdhekuqe (e nisi si titullar dhe luajti një takim shumë të mirë përballë kampionëve të Italisë), përfundoi 2-2.
Emocionet ishin ruajtur për 15 minutat e fundit të pjesës së parë. Jordan Veretout godet drejt portës mike pas gjysmë ore lojë, por Adrien Rabiot e frenon me dorë. Penallti për djemtë e Fonsekës dhe Veretout nuk gabon nga pika e bardhë.
Dy minuta para mbylljes së fraksionit të parë, arbitri kryesor akordon një tjetër penallti. Kësaj radhe për bardhezinjtë e Pirlos. E fiton Cristiano Ronaldo dhe e kthen në gol po vetë. U duk se u vendos baraspesha, por Roma gjen golin tjetër në shtesa.
Sërish Veretout, mesfushori francez finalizon një kundërsulm të shpejtë dhe dërgon topin në rrjetë pasi asistit të marrë nga armeni Henrikh Mkhitaryan.
Pjesa e dytë nis e dyluftuar, teksa Rabiot merr kartonin e dytë të verdhë në minutën e 62-të. Juventusi me dhjetë lojtarë, teksa Edin Dzeko kishte humbur një rast flagrant pak minuta më parë. “Zonja” nuk ka çfarë të humbasë dhe hidhet në sulm.
Cristiano Ronaldo konfirmon sërish se mbetet një lojtar madhështor dhe barazon shifrat në minutën e 69-të. Krosim i Danilos dhe ylli portugez “fluturon” mes mbrojtjes vendase, duke shënuar me kokë. Gola nuk ka më dhe takimi mbyllet me realizimin fantastik të CR7, i cili evitoi disfatën e ekipit të tij. /abcnews.al
Serie A, java e dytë
Roma-Juventus 2-2
(Veretout (pen) 31′, 45+1′ / Ronaldo (pen) 43′, 69′)


