VIDEO/ Ëndrra vazhdon, Leipzig eliminon Atletico Madrid dhe shkruan historinë

schedule22:59 - 13 Gusht, 2020

schedule 22:59 - 13 Gusht, 2020

Ëndrra e Leipzig vazhdon. Skuadra gjermane arriti një fitore madhështore kundër Atletico Madrid, duke u kualifikuar për herë të parë në histori në gjysmëfinalet e Champions League.

2-1 fituan djemtë e Julian Nagelsmann, të cilët ia dolën përballë një prej skuadrave më të vështira në botë. Pjesa e parë nuk dhuroi gola, ndërsa 45 minutat e dyta ishin plot emocione.

Champions League, raundi çerekfinale
Leipzig-Atletico Madrid 2-1
(Olmo 50′, Adams 88′ / Joao Felix (pen) 70′)

Dani Olmo zhbllokoi ndeshjen në minutën e 50-të. 22-vjeçari spanjoll finalizoi me kokë një kros të Sabitzer, duke mposhtur sllovenin Jan Oblak. Diego Simeone reagoi, hodhi në fushë Joao Felix dhe talenti portugez barazoi ndeshjen pas 20 minutave.

20-vjeçari ndërmori një inkursion të bukur dhe u pengua në mënyrë të parregullt nga mbrojtja e Leipzig. Joao Felix nuk gaboi nga pika e bardhë dhe festa ndryshoi krah.

LEIPZIG-ATLETICO MADRID

Kur u duk se kjo përballje do të shkonte në shtesa, gjermanët tronditën ekipin e Simeones. Minuta e 88-të, dalje e bukur, topi shkoi në këmbët e Tyler Adams dhe 21-vjeçari amerikan, i cili kishte vetëm 16 minuta që kishte zbritur në fushë, goditi drejt portës kundërshtare.

Gjuajtja e tij u devijua nga një mbrojtës i Atleticos dhe përfundoi në rrjetë. Festë e madhe për surprizën Leipzig, teksa spanjollëve nuk u mjaftuan 9 minutat shtesë.

Eliminim i dhimbshëm për “Colchoneros”, teksa skuadra gjermane do të sfidojë PSG në datë 18 gusht për një biletë në finalen e madhe të Champions League. /abcnews.al