Derbi për Superkupën e Spanjës. Atletico Madrid ia ka dalë të mundë Barcelonë me rezultatin 2-3 dhe gjithçka u vendos në fund, kur Correa shënoi golin e triumfit. Një dominim total i katalanasve, por Oblak ishte hero për skuadrën e Diego Simeone.
Ai e mbajti të paprekur rrjetën në 45minutat e para, ndërkohë që e dyta nisi me një gol të menjëhershëm të Koke. Spanjolli brenda zonës nuk gaboi dhe e mposhti portierin Neto të Barcelonës. Katalanasit u egërsuan dhe reaguan menjëherë.
Lionel Messi vetëm pesë minuta më pas ia doli të shënonte me një gjuajtje të fortë në zonë. Argjentinasi pak minuta më pas e gjeti sërish rrugën e rrjetës, por VAR anuloi gjithçka. Gjithsesi, dy minuta më pas, në të 62′, Griezmann nuk e fali ish-skuadrën e tij.
Oblak la në zonë topin e goditur me kokë nga Suarez dhe francezi u tregua i saktë, duke shënuar. Barcelona në epërsi, 2-1. Katalanasit u munduan të shënojnë edhe golin e tretë dhe ia dolën, por Pique ishte në pozicion jashtë loje.
Më pas një penallti riktheu baraspeshën. Me VAR u pa që Neto e ndaloi në mënyrë të parregullt sulmuesin e Atletico Madrid, që me 11-metërsh barazoi. Alvaro Moratta nuk fali, sikurse disa minuta nga fundi i lojës edhe Correa.
Një kundërsulm u shfrytëzua nga Atletico. Pique gaboi në mesfushë kundër Moratta, i cili pasoi për Correa dhe ky i fundit para Neto nuk gaboi dhe shënoi golin e kualifikimit. Deri në fund kishte disa raste në të dyja krahët. Mes shumë emocionesh Atletico fitoi dhe siguroi finalen. /abcnews.al

