VIDEO/ As blindi s’i shpëtoi nga 100 plumbat, automjeti i shënjestrave të atentatit në Milot i bërë “shoshë”

schedule22:37 - 22 Korrik, 2022

schedule 22:37 - 22 Korrik, 2022

Të paktën 100 plumba dyshohet të jenë zbrazur ndaj 27-vjeçarit Klisman Preçi dhe 47-vjeçarit Ylli Brahimi mbrëmjen e së premtes në Milot. Dhe pasojat mund të shihen qartë në fuoristradën tip “Toyota” me të cilën po udhëtonin viktimat, pasi është bërë “shoshë”.

Automjeti i blinduar me targa të Maqedonisë së Veriut (Shkup), ka në xhamin ballor një sërë shenjash nga plumbat ndërsa duket se breshëria kryesisht ka ardhur nga pas ku gjurmët e plumbave duken akoma më shumë intensive.

Makina që drejtohej nga Preçi, i cili mbërriti i vdekur në spital dhe Ylli Brahimi po hynte në rrugicën që ndante banesat e tyre. Para se të futej në rrugicë, makina është qëlluar me breshëri plumbash ndërsa autorët u larguan në drejtim të Laçit.

Kujtojmë se Klisman Preçi, 27 vjeç humbi jetën dhe Ylli Brahimi 47 vjeç, mbeti i plagosur pasi ndaj tyre u zbrazën të paktën 100 fishekë në Milot. I riu mbërriti i pajetë në spitalin e Traumës ndërsa Brahimi ka marrë dëmtime në brinjë dhe në këmbë dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Si Brahimi ashtu e Preçi kanë rënë pre e atentateve edhe më parë. Biznesmenin 47-vjeçar tentuan ta vrisnin në janar të 2021, ndërsa Preçin në maj të këtij viti. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!