Vettingu, Zaganjori: Ngritja e problemeve nga Komisioneri Publik e ka një kufi

schedule15:28 - 17 Korrik, 2019

schedule 15:28 - 17 Korrik, 2019

Ka përfunduar seanca në KPA. Pas përfundimit të seancës ditën e sotme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi që Vendimi për Xhezair Zaganjorin të jepet në datë 26 korrik. Kolegji i Posacëm i Apelimit administroi 10 provat e reja të cilat kreu i gjykatës i dorëzoi për të prapësuar gjetjet e komisionerit publik. Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori në fjalën e tij pas seancës së KPA deklaroi se vettingu me të vazhdon për më shumë se një vit. Ai tha se nuk mund të gjykojë dot procesin e vettingut dhe se do i përmbahet ligjit.

Zaganjori u shpreh se ishte i qetë dhe se nuk ndihej nën presion, ai gjithashtu  nuk pranoi të komentojë mosfunksionimin e Gjykatës së Lartë.

“Jam shumë i qetë, duhet të presim,Ne duhet të respektojmë Vettingun, s’jam nën presion. Më kërkuan të paraqes dokumentat të cilat i paraqita. Nuk më takon të komentoj pse Gjykata e Lartë nuk funksionon. Theksova faktin se gjatë hetimit administrativ apo edhe gjykimin e datës 25 dhe datës 10, komentet të cilat janë kërkuar direkt ose indirekt nga komisionari publik, gjatë procesit të hetimit dhe nga OMN apo dhe KPK, une i jam përgjigjur dhe i kam reflektuar. Dokumentat që mu kërkuan ti paraqes, unë i paraqita dhe disa prej tyre nuk u morën parasysh sepse u cilësuan si të përsëritura apo që nuk kanë vlerë në një kohë që unë mendoj se është e kundërta. Megjithatë ai që vendos është Kolegji i Apelimit tashmë. Detyra e komisionerit publik është të mbrojë interesin e publikut  dhe si i tillë duhet të ngrejë problemet, por gjithsesi edhe ngritja e problemeve e ka një kufi”, u shpreh Zaganjori.

Komisineri publik ka kërkuar shkarkimin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!