Vettingu “rrëzon” kandidatët për KLGJ dhe KLP

schedule15:06 - 19 Gusht, 2018

schedule 15:06 - 19 Gusht, 2018

Në shkelje të afatit Kushtetues me 16 muaj dhe kandidatura të shpallura prej 20 muajsh, dy organet e reja të drejtësisë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Prokurorisë, mbeten ende peng i procesit të Vettingut.



Vetëm 4 vendime larg përfundimit të listës së parë prioritare për këtë proces, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, derimëtani ka “skarcuar” 10 nga 33 kandidatët magjistratë për KLGJ-në dhe KLP-në. Bazuar në ligjin “për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” që përcakton kandidatët që vijnë nga drejtësia për këto dy organe, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit do të përbëhet nga:

– tre gjyqtarë të shkallës së parë, të paktën një prej të cilëve vjen nga gjykata jashtë Tiranës;
– dy gjyqtarë apeli, të paktën një prej të cilëve vjen nga gjykata jashtë Tiranës;
– një gjyqtar nga Gjykata e Lartë.

Është kjo përbërje, ndërthurur me përfundimin e procesit të Vettingut për kandidatët për KLGJ, ajo që detyroi shpalljen edhe njëherë të thirrjes për pritjen e kandidaturave nga gjyqtarët e Apelit, pas konfirmimit nga KPK vetëm të atyre që vijnë nga Tirana.
E njëjta situatë duket edhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nga dy gjyqtarë apeli që Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkon në përbërjen e tij, kandidatë që qëndrojnë ende në këmbë pas kalimit në sitën e Vettingut është Arben Dollapaj, duke lënë një vend vakant.

Rinisja e procesit për marrjen e kandidaturave të reja për zëvendësimin e atyre që Vettingu ka eleminuar derimë tani, do të ri-kthejë topin në fushën e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili do duhet të rivlerësojë edhe kandidatët e rinj. Eshtë ky rezultat ai që shkon kundër asaj që sot duket një deklaratë e nxituar dhe shumë optimiste e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila prej muajit qershor njoftonte ngritjen e KLGJ dhe KLP në muajin shtator.

Etilda Gjonaj: “Nëse ecet me këto ritme, shpresojmë që në shtator të paktën të fillojmë të ngremë intuticionet e reja KLGJ dhe KLP.”
Vonesat në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të prokurorisë, shtyjnë në kohë jo vetëm zgjidhjen e ngërçit tashmë të thelluar me gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë, por edhe zvarritjen e ngritjes së Byrosë Kombëtare të hetimit dhe Njësisë Speciale Antikorrupsion.
E deri në ngritjen e këtyre dy institucioneve të pavarura, të vetmet që mund të hetojnë funksionarët e lartë, politika mund të flejë e qetë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!