Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Vettingu në politikë, procedura lë “shtigje” vonese

schedule18:17 - 10 Shtator, 2018

schedule 18:17 - 10 Shtator, 2018

Pas depozitimit në Kuvend të nismës së PD-së për Vetting në Politikë, hapi i radhës ngarkon kryetarin e Kuvendit të njoftojë deputetët lidhur me të, në seancën më të afërt plenare. Por deri në miratimin e kësaj nisme nga Kuvendi ka dhe hapa të tjerë, të cilët i prezanton kronika në vazhdim.

Nisma opozitare për një Vetting në politikë u bë fakt pas depozitimit të saj në Kuvendin  e Republikës në 7 Shtator 2018. Ndryshimi kushtetues i propozuar nga opozita e bashkuar kërkon 84 vota në sallën e parlamentit.

Rregullorja e Parlamentit nuk ka afate për përfundimin e shqyrtimit të këtij propozimi, por ka afate të përcaktuara kohore për nisjen e tij.

Referuar nenit 77/a të kësaj rregulloreje, Kryetari i Kuvendit njofton Kuvendin në seancën plenare më të parë, u shpërndan deputetëve tekstin e projektligjit dhe projektligji futet menjëherë në programin e punës së Kuvendit.

Për nismën e 7 Shtatorit të Partisë Demokratike dhe aleatëve kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, duhet të njoftojë Kuvendin në seancën më të parë plenarë, që është ajo e datës 13 Shtator.

Sipas rregullores, projekligji shqyrtohet në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin jo më parë se dy javë nga data e depozitimit, pra jo më parë se në 21 Shtator. Në përfundim të shqyrtimit mbledhja e përbashkët në fjalë i paraqet seancës plenare raportin përkatës.

Në rregullore përcaktohet se seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit.

Nuk dihet sa do të zgjasë puna dhe debati parlamentar për diskutimin e këtij amendimi kushtetues, ku rregullorja nuk parashikon asnjë afat brenda së cilit, Komisioni e Këshilli do të shqyrtojnë nismën dhe as nuk ka një kufi për kohën brenda së cilës duhet të hartohet raporti i mbledhjes së përbashkët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!