Efektivët e policisë që do të shkarkohen nga procesit i Vettingut në polici, të cilët nuk justifikojnë pasurinë e tyre do shkojnë për ndjekjen penale. Zv/ministri i Brendshëm Hodaj nuk caktoi ende një datë se kur do të nisë shqyrtimi për dosjet e para në Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit.
Procesi i Vettingut në radhët e uniformave blu ende nuk ka një datë përfundimtare se kur do të nisë shqyrtimin për 45 dosjet e para me gradat më të larta në Policinë e Shtetit dhe në Gardën e Republikës.
Zv/ministri i Brendshëm theksoi se fokusi nga ana e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit është rritja e standardeve profesionale për verifikimin e dosjeve dhe jo caktimi i një date për nisjen e procesit të Vettingut.
“Seancat dëgjimore në tagrin tonë si Ministri e Brendshme nuk ka tagër të ndërhyjë. Në dijeninë tonë disa nga dosjet janë pothuajse gati”, tha ai.
Hodaj theksoi se për efektivët që nuk justifikojnë pasurinë dhe shkarkohen nga Vetting do të ketë ndjekje penale. Policët që dikur kanë qenë punonjës së të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk do të përjashtohen automatikisht, shtoi Hodaj, por do të dalin para Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për seancë dëgjimore.
“Sipas parashikimit të ligjit, të qenit ish-bashkëpunëtor, punonjës, informator i Sigurimit të Shtetit është një rrethanë që merret parasysh nga organet. Pra nuk ka një përjashtim automatik në rastet kur dikush mund të ketë shërbyer, por është një rrethanë që do merret parasysh siç merren të gjitha të tjerat”, tha Hodaj.
Ndryshe nga Vettingu në drejtësi, ai në radhët e Policisë së Shtetit do të jetë më favorizuar për ata punonjës që do të kenë probleme vetëm me anën profesionale dhe justifikojnë pasurinë dhe integritetin në punë./ABC News Albania 24/7