Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë ne detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Edhe në këtë seancë Dedja u përfaqësua nga avokati i tij Maksim Haxhia, i cili shfaqi rezerva për anëtarët e trupit gjykues.
“Vendosi me shumicë votash konfirmimin në detyrë të subjektit të vlerësimit zotit Bashkim Dedja me funksion gjyqtar, kryetar i Gjykatës Kushtetuese”
Përmes këtij vendimi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deklaroi të përshtatshëm për sistemin e drejtësisë gjyqtarin dhe njëherësh kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Kalimi me sukses i procesit të Vettingut për Dedjen tregon se gjatë studimit të akteve të dosjes në dhomën e këshillimi, trupi gjykues ka zeruar të gjitha dyshimet e ngritura në relacionin e publikuar në seancën dëgjimore në lidhje me disa pasuri të gjyqtarit. Një prej tyre ishte edhe një borxh i marrë tek vëllai, ndërkohë që ky i fundit kishte blerë një shtëpi me kredi.
Sipas avokatit, vëllai apartamenti i blerë më herët nga vëllai i gjyqtari është vënë si kolateral në bankë për një kredi të nipit të tij. Haxhia shfaqi rezerva për anëtarët e trupit gjykues.
“Megjithatë kjo ishte një zgjedhje e asaj, por nëse do t’i mbahemi pozicionit të relatores është ky detyrim i saj, që t’i bëjë prezent, qoftë trupit gjykues, palëve në proces, apo publikut se çfarë përmban dosja dhe mbi këtë dosje do bëhet shqyrtimi i seancës dhe do të jepet vendimi. Zonja dhe zotërinjtë që janë në këto trupa duhet të jenë të kualifikuar, të jenë strik dhe të kenë dy gjëra: solemnitetin, që ata e kanë dhe seriozitetin në zbatimin e pozicionit procedurial”.
Bashkim Dedja është në mandatin e tij të dytë si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Ai ishte i pesti në radhë që kalonte në filtrat e vettingut, ku ngecën më herët tre kolegë të tij Fatos Lulo, Fatmir Hoxha e Altina Xhoxha, të cilët u shkarkuan./abcnews.al