VETTING/ Testamenti për vilën e diktatorit

schedule20:35 - 2 Mars, 2021

schedule 20:35 - 2 Mars, 2021

Vila e Enverit, toka ku po ndërtohen kullat e larta në rrugën e  Elbasanit, toka ku është ndërtuar rruga transballkanike në Vlorë e shumë prona të tjera në qendrat e qyteteve të Tiranës Vlorës e Elbasanit, janë prona të tjetërsuara përmes manipulimit. Është akuza që vjen nga Elisabeta Toptani Biçaku, e cila e cilëson grup të strukturuar kriminal gjyqtarë e prokurorë që morën vendimet e tjetërsimit të pronave të saj.

Elisabeta është mbesa e Shefqet Verlacit  dhe e bija e Qemal Biçakut. Ajo trashëgon prona nga tri familjet e mëdha ish-pronare, por është i gjatë kalvari i saj për të rifituar pronën e humbur gjatë diktaturës. Do të ndiqni edhe të tjera histori të tjetërsimit të pronave, çfarë sjell vendimi i gjykatës kushtetuese që rrëzoi pjesërisht ligjin e qeverisë Rama për pronat? Ndiqni emisionin Vetting në ABC.

Emisioni i plotë

Kur kryeministri australian Scott Morrison po mbante konferencë shtypi, një qytetar doli nga banesa përballë dhe i kërkoi kryeministrit të largohej nga prona e tij: “A mundet të gjithë të largoheni nga aty. Sapo e kam punuar atë pjesë toke”. Menjëherë dhe pa asnjë diskutim, zyrtari i lartë kërkoi mediave të pranishme që ti largoheshin pronës së qytetarit. Kryeministri tha: Sigurisht, le të shkojmë pak më andej.

Kryeministri e askush tjetër, nuk po tentonte në asnjë mënyrë që të cenonte pronën, veçse kishte zgjedhur ambientin në pronën e tij për të zhvilluar një komunikim me mediat. Por reagimi i qytetarit na tregon se në vendet demokratike prona është kaq e shenjtë. Lajmi u transmetua në mediat kryesore të botës. Është një rast shumë i thjeshtë për të treguar se cili është respekti që qytetarët dhe zyrtarët e vendeve demokratike kanë për pronën.

Padyshim që kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me përvojën shqiptare të qasjes së institucioneve dhe shoqërisë, ndaj pronës. Elita që qeveris vendin për 30 vjet, pretendon se po udhëheq një vend demokratik. Por në të vërtetë, në Shqipëri nuk respektohet një prej elementeve themelore të sistemit demokratik, që është shenjtëria e pronës. Prona në vendin tonë është grabitur nga shteti në komunizëm, më pas është vjedhur e tjetërsuar më ndihmën e politikës e të sistemit të drejtësisë në pluralizëm. Një vend i tillë nuk mund të quhet demokratik. Për 30 vjet, politika ka premtuar zgjidhjen e çështjes së pronave papushim dhe sa më shumë kalon koha aq më e komplikuar vjen e bëhet problematika e pronave në vendin tonë.

Në mungesë të një legjislacioni të qartë që i jep zgjidhje problemit, sistemi i drejtësisë prokuroria dhe gjykata e kanë dhënë kontributin e tyre që cështje të mos marrë zgjidhje. Në shumicën e rasteve ku shqyrtohet çështja e pronave, sistemi i drejtësisë prokuroria e gjykata janë bërë palë më abuzuesit duke sjellë si rezultat konflikte të pafundme mes personave që e pretendojnë. Për këtë arsye, konfliktet për pronat në Shqipëri janë më mijëra.

Shefqet Verlaci ishte një ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri deri në vitin 1945. Në një situatë represive të komunistëve që sapo kishin ardhur në pushtet, Verlaci vendosi të largohet në vitin 1944. Pronat e tij ishin të shumta në Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe në vendet më të lakmuara të këtyre qyteteve. Komunistët i konfiskuan të gjitha pronat dhe familjarët e tij vuajtën dhunën komuniste. Por çfarë ndodhi me pronat e tij pas vitit 1990?!

Elisabeta Toptani Biçaku, është mbesa e Shefqet Verlacit  dhe e bija e Qemal Biçakut. Ajo vjen nga një derë e dy familjeve që kanë qenë pronarë të rëndësishëm dhe është martuar gjithashtu në një tjetër familje po kaq të rëndësishme sa i përket, trashëgimisë së pronave, siç është familja Toptani.

Ajo trashëgon prona nga tri familjet e mëdha ish-pronare, por është i gjatë kalvari i saj për të rifituar pronën e humbur gjatë diktaturës. Elisabeta është pjesë në trashëgiminë e vilës 31, e cila u shfrytëzua si rezidencë qeveritare e diktatorit Enver Hoxha.

Është gjithashtu trashëgimtare në tokën pranë rrugës së Elbasanit, ku po ndërtohet një kullat më të larta në kryeqytet. Është gjithashtu trashëgimtare në tokën në rrugën transballkanike, ku janë ndërtuar disa komplekse pallatesh. Por edhe të tjera prona në Tiranë, Vlorë dhe Elbasan.

Elisabeta bashkë me të birin iu drejtuan emisionit Vetting për denoncuar atë cfarë ka ndodhur me pronat e familjes së saj. Pas 30 vitesh përpjekje për të marrë pronat e saj, ajo gjendet sot në një konflikt me nipin.  Elisabeta tregon se konflikti nisi pas vdekjes së nënës së saj në vitin 2017 kur kishte kuptuar se të gjitha pronat e familjes së saj ishin shitur dhe tjetërsuar me anë të mashtrimeve. Njohja me testamentin që kishte lënë e ëma ishte gjithashtu një tjetër moment ku dyshimet për tjetërsim të pronës, iu shtuan. I biri i Elisabetës, Bonin Toptani, tregon se gjithë ky mashtrim ka nisur në vitin 2008 kur atij i është dhënë një prokurorë nga familjarët për ti përfaqësuar por që i është revokuar në 2010. Pavarësisht kësaj ai ka vazhduar që të shesë pronat duke shmangur trashëgimtarët e Verlacëve që jetojnë në Itali dhe Kanada. Nënë e bir tregojnë skemën dhe personat të cilët janë të përfshirë në këtë mashtrim.

Tregojnë se këta persona kanë arritur të falsifikojnë një vendim të gjykatës së krimeve të rënda, i cili është pranuar si i saktë dhe si provë në gjykatën e apelit në Durrës. Përmes dokumenteve të falsifikuara, kjo gjykatë vendosi me pas ti japë të drejtë personave që prej vitesh janë të përfshirë në këtë skemë . Për më tepër ky vendim i gjykatës së Durrësit është dhene në ditë feste dhe ata nuk janë lajmëruar për këtë vendim edhe pse ishin palë e interesuar në të.

Bonin Topatani hedh akuza të forta mbi prokuroret dhe gjyqtarët të cilat kanë hetuar problemin e familjes së tij. Sipas tij njerëz të drejtësisë janë paguar për të mos vepruar në rastin e denoncimeve të tij.

Aktualisht kjo çështje është duke u hetuar nga prokuroria e posaçme SPAK, pasi kallëzuesit dyshojnë se pas grabitjes së pronave të tyre qëndron një grup i strukturuar kriminal, i cili është ndihmuar nga gjyqtarë dhe prokurorë të ndryshme në rrethe.

Një tjetër personazh që pret prej 30 vitesh të marrë të drejtën mbi pronën e tij është Aqif Kaçmoli. Ai banon në qytetin e Durrësit por familja e tij zotëron disa prona në Vlorë dhe Shijak. Ai tregon se si institucionet shtetërore kanë bërë të pamundur kthimin e pronave të tij. Aqif Kaçmoli është pjesë e shoqatës së pronarëve legjitim dhe drejton degën e Durrësit, një qytetet me shume probleme duke qenë se është bregdetar dhe tokat janë objektet i mjaft personave me pushtet. Sipas tij çdo gjë fillon në vitin 1991 me ligjin e famshëm 7501, ku toka nuk shkoi tek pronari i ligjshëm.

Paligjshmëri sipas tij vazhdoi me ligjin e legalizimeve , proces i cili duket se do të zgjasë pambarimisht, pasi ka nisur ne vitin 2006 dhe ende nuk ka përfunduar. Është një proces i nisur keq i cili nuk ka në fokus zgjedhjen e problemeve të pronarëve te ligjshëm.

Këto histori e mijëra të tjera të ngjashme, na tregojnë se si institucionet e  drejtësisë u bënë palë në procesin e  paligjshëm të tjetërsimit të pronës. Me mijëra çështje të ngjashme gjenden në gjykatat e Shqipërisë. Këto histori na tregojnë ekzaktësisht çfarë ka ndodhur me pronat në 30 vjet. Na tregon gjithashtu se të gjitha ligjet e miratuara nga qeveritë njëra pas tjetrës nuk patën kurrë si qëllim kthimin e pronës tek i zoti.

Na tregojnë gjithashtu se partitë politike kanë mashtruar vazhdimisht me premtimet e tyre për kthimin e pronave. Në çdo fushatë, premtimet për kthimin e pronave zënë faqe të dedikuara në programet elektorale. E njëjtë është situata edhe tani, në këtë fushatë, kur Partia Demokratike që aspiron të vijë në pushtet, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë çështjes së pronave. Kryetari i PD-së Lulzim basha, pati një takim këto ditë  me përfaqësues të pronarëve të ligjshëm. Basha premtoi zgjidhje përfundimtare të këtij problemi duke kërkuar edhe ndjesë për çfarë nuk ka bërë partia e tij për 30 vjet, për zgjidhjen e çështjes së pronave.

Kështu pati premtuar edhe Edi Rama kur ishte në opozitë por pas tetë vitesh në pushtet, çështja e pronave është ende shumë larg zgjidhjes.  Rama pati premtuar se nën qeverisjen e tij, prona do të shkonte tek i zoti

Por në fakt nuk ndodhi. Në vitin 2015 mazhoranca socialiste miratoi ligjin për “Per trajtimin e prones dhe perfundimin e kompensimit te pronave”.  Ligji parashikonte sipas socialistëve, zgjidhjen e ngërçit 30-vjeçar për pronën. Nga foltorja e kuvendit,  Rama do të pranonte që nuk ishte ligj ideal por ishte një ligj realist. Pra shumë larg premtimit, “prona tek i zoti”

Ligji i miratuar nga mazhoranca që drejton Rama, u kundërshtua nga pronarët. Ata paraqitën një padi në gjykatën kushtetuese, kur mazhoranca socialiste miratoi ligjin në vitin 2015. Në emër të pronarëve të ligjshëm, Oerd Bylykbashi, ish-deputet I PD-së, paraqiti padinë asokohe në Gjykatën Kushtetuese. Çështja u shty për gati gjashtë vjet pasi ky institucion doli jashtë funksionit për shkak të ndryshimeve që solli reforma në drejtësi. Më 15 shkurt të këtij viti, pasi u plotësua me 7 gjyqtarë kushtetuesja vendosi të rrëzojë pjesërisht ligjin e miratuar nga qeveria duke shfuqizuar një pjesë të ligjit. Por edhe ky shfuqizim nuk mund të shihet ende si fitore për pronarët pasi duhet pritur vendimi i zbardhur i kushtetueses.

Ndërsa Oerd Bylykbashi e sheh si zhvillim pozitiv dhe për më tepër premton se me ardhjen e PD-së në pushtet, do të shfuqizohet  përgjithmonë termi “ish-pronarë”. Prej 30 vitesh, Gezim Boçari, është në kërkim të së drejtës për pronën e tij. Pronarët e ligjshëm janë të bindur se qëllimi i ligjeve të miratuara nga të gjitha qeveritë në 30 vite, ka pasur qëllim që mos të kthejë pronën tek i zoti. Po të kishte ekzistuar vullneti politik, çështja e pronave do të duhej të ishte zgjidhur shumë vite më parë. Ai e cilëson anarki institucionale procesin 30-vjeçar të kthimit të pronës në Shqipëri.

Ai thotë se në një situatë të tillë, ata që kanë përfituar më shumë janë oligarkia politike dhe sidomos në bregdetin e jugut, aty ku pronarët e ligjshëm e kanë të pamundur të marrin pronat e tyre. Në 30 vjet janë hartuar të paktën 18 ligje që supozohet të rregullojnë çështjet e pronësisë në Shqipëri. Janë rreth 26 mijë vendime per kompensim të dhëna ne 30 vite, për rreth 73.359 ha toke. Deri tani janë kompensuar rreth 16 ha tokë. Me këtë ritëm do të duhen qindra vjet për të përfunduar ky proces.

Nga 35 mijë dosje që presin të shqyrtohen në Gjykatën e Lartë, shumica e tyre i përkasin problematikës së pronave.

Gjatë kësaj kohe, ligjet e shumta e institucionet e ngarkuara për ti zbatuar, kanë prodhuar mijëra raste kur konflikti i pronave ka përfunduar me vrasje. Sipas statistikave zyrtare, në vendin tonë janë vrarë më shumë se 8 mijë persona për konflikte pronash. Zgjidhja e çështjes së pronave është gjithashtu kriter i vendosur nga ndërkombëtarët për qeveritë shqiptare. Sepse garantimi i të drejtës së pronës është thelbësore për ekzistencën e një shteti demokratik.