Vetingu, pasuria “djeg” gjyqtaren Altina Xhoxhaj

schedule18:15 - 3 Maj, 2018

schedule 18:15 - 3 Maj, 2018

Megjithëse kërkoi tetë ditë kohë shtesë për të llogaritur pasurinë e gjyqtares së Kushtetueses, Altina Xhoxhaj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkërkimin e saj nga detyra. Largimi i gjyqtares nga sistemi fut krejtësisht në kolaps Gjykatën Kushtetuese, e cila ka mbetur me vetëm 4 anëtarë.

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, nuk e kaloi vetingun.

Pretendimi i ngritur prej saj në seancën dëgjimore te datës 23 prill se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte bërë llogari të pasakta të pasurisë dhe se kishte lexuar gabim ligjin nuk bindi trupin gjykues.

Nga ana tjetër, vendimi në lidhje me fatin e Xhoxhajt duhet të ishte shpallur tetë ditë më parë, por por trupi gjykues mori kohë shtesë për të bërë llogaritjet e likuiditetit financiar të saj.

Gjyqtarja nuk ishte prezente në sallë. Pas mbylljes së seancës, avokatja listoi edhe njëherë argumentet kundër të klientes dhe shprehu bindje për ndryshimin e këtij vendimi në Kolegjin e Apelimit.

Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Xhoxhaj nuk justifikonte vlera monetare të shpenzuara për blerjen e një aparamenti në Tiranë, një banese dhe truallit ku ishte vendosur në Gjirin e Lalëzit. Në këto pasuri ajo zotëronte ½ e cdonjërës.

Largimi i Xhoxhajt nga radhët e gjyqësorit e lë me 4 anëtarë Gjykatën Kushtetuese, mes të cilëve Viotre Tusha, e konfirmuar nga KPK, duke e nxjerrë institucionin jashtë loje. Situata është paraprirë nga dorëheqja e gjyqtarit Besnik Imeraj dhe shkarkimi nga KPK i anëtarit Fatos Lulo.

Aktualisht Kushtetuesja nuk ka kuorumin e nevojshëm dhe për pasojë nuk mund të zhvillojë asnjë gjykim.

Organi gjyqësor që zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës nuk mund të funksionojë. Përveç çështjeve të regjistruara të mbetura pezull, në një të ardhme të afërt, palët që mund të kenë kundërshti për një marrëveshjeje e mundshme për kufinjve detarë me Greqinë, apo ligje të caktuara nuk do të kenë një institucion për t’i kundërshtuar. /abcnews.al