Vetingu, KPK shkarkoi nga detyra kryetarin e Gjykatës së Tropojës

schedule09:16 - 11 Mars, 2019

schedule 09:16 - 11 Mars, 2019

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kreun e Gjykatës së Tropojës, Dritan Seci. Në hetimin e thelluar, KPK vlerëson se Seci ka fshehur pasurinë e ka probleme edhe në kriterin profesional.

Drejtuesi i Gjykatës së Tropojës Dritan Seci është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi rezulton me probleme në të 2 kriteret e rivlerësimit, për pasuri dhe aftësi profesionale. Në raportin e Inspektoratit të lartë të Deklarimit dhe kontrollit të pasurive dhe konfliktit të interes shkruhej se gjykatësi kishte kryer deklarim të rremë e kishte fshehur pasurinë.

Në hetimin e thelluar të KPK evidentohet mospërputhja e deklarimit të një apartamenti 76 m2 në Tropojë, i blerë në 2012, ndërsa subjekti dhe bashkëshortja nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme për atë investim. Vlera e apartamentit në dy deklarimet ishte e ndryshme: Fillimisht, kjo pasuri sipas Komisionit është deklaruar 2 milionë e 100 mijë lekë, ndërsa në veting është deklaruar 2 milionë e 200 mijë lekë.

KPK kishte  konstatuar edhe fshehjen e përdorimit të një apartamenti në Tiranë nga ana e gjyqtarit, si dhe të shumës prej 20 mijë euro,  sipas gjyqtarit, dhuratë nga miku i tij, shtetasi me inicialet B.M.

Probleme KPK ka konstatuar edhe me blerjen e automjetit. Ka dy deklarime të ndryshme edhe për vlerën, edhe për vitin e blerjes. Dyshime u ngritën edhe në lidhje me përdorimin nga gjyqtari të një tjetër automjeti, që figuron në emër të vëllait të tij, shtetasit A.S.

KPK ka vërejtur mangësi edhe në kriterin profesional. Nga shqyrtimi i disa dosjeve të gjyqtarit, në njërën prej tyre, që kishte si objekt zgjidhjen e një martese, është konstatuar mangësi procedurale për vendimin e ndërmjetëm për vendosjen e detyrave për psikologen./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!