Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi foli në ABC-ja e mëngjesit për zgjedhjet e 25 prillit, ku pjesëmarrëse do të jetë edhe kjo lëvizje.
Abazi shpjegoi se VV ka propozuar dy kandidatura, në qarkun e Tiranës dhe në qarkun e Lezhës.
Me këtë përfshirje në zgjedhjet e 25 prillit, ai shtoi se qëllimi është të krijohet një valë entuziazmi, duke sjellë edhe një risi në Republikën e Shqipërisë.
“Unë mendoj që ka njerëz brenda PS, PD , apo PDIU që besojnë tek çështja e Bashkimit Kombëtar, por një pjesë e mirë e udhëheqësve të tyre nuk e kanë çuar përpara. Besoj që korrupsioni ka qenë një ndër shkaqet kryesore. Sepse nëse je i korruptuar dhe me dosje atëherë je lehtësisht i komandueshëm.
Një nga vlerat e lëvizjes është dekriminalizimi i çështjes kombëtare. Ne kemi arritur që argumentet tona t’i fitojmë. E drejta është në anën tonë, në Kosovë jemi një hap larg, ndërsa në Shqipëri jemi një hap i parë që mendojmë ta çojmë përpara”, u shpreh ai.
Nëse një nga partitë PS apo PD do të ngrinte çështjen e Bashkimit Kombëtar, Abazi theksoi se kjo çështje do të diskutohej.
“Do ta diskutonim. Deklarata për bashkimin kombëtar kanë bërë shumë parti, por nuk e kemi parë të programe”, u shpreh ai.
/abcnews.al/