Vetëvendosja paralajmëron zgjedhje të reja, LDK: Të lëshojmë rrugë

schedule14:16 - 17 Janar, 2020

schedule 14:16 - 17 Janar, 2020

Deputetja e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci paralajmëroi të premten se në Kosovë mund të ketë zgjedhje të reja. Nagavci tha për mediat në Kosovë se nëse nuk arrihet zbatimi i vullnetit të qytetarëve, atëherë prapë do të kthehen te qytetarët.

“Nëse për arsye që nuk varen prej nesh nuk arrihet implementimi i vullnetit të qytetarëve duhet të kthehemi të qytetarët”, tha ajo.

Vetëvendosje refuzoi të enjten përmes një letre ofertën e LDK-së. Kryetari i kësaj partie Albin Kurti tha se kërkesa për largimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca është qasje jodemokratike.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se nuk e konsideron letrën përgjigje zyrtare.

Mustafa tha të enjten në mbrëmje në një intervistë për mediat në Kosovë se posti i kryetarit të Kuvendit t’i takojë partisë së tij ndërsa presidenti nuk do të jetë i LDK-së, por i Kosovës.

Mustafa tha në intervistën dhënë për RTK se nëse Vetëvendosje ka kryeministrin dhe ministrat, atëherë LDK duhet të ketë kryeparlamentin ndërsa për presidentin tha se nuk do të jetë president i LDK-së, por president i Kosovës.

“Unë vetë e kam ditur që më ka rrëzuar vetëvendosje. Nuk do kishte mundur kurrë Vetëvendosje ta fitonte Prishtinën po të mos kishte pasur mbështetjen e PDK-së. Unë personalisht e kam vullnetin që të bëhet marrëveshja. Nëqoftëse nuk mundemi ta bëjmë, do të thotë duhet të lëshojmë rrugë, të lëshojmë hapësirë,” tha ai.

Vetëvendosje dhe LDK nuk janë takuar më dhe tashmë edhe ofertat po bëhen me letra dhe zarfa, të cilat po refuzohen nga palët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!