Vetëvarja e të riut në komisariatin e Kavajës, PD organizon nesër protesta në të gjithë vendin

schedule19:57 - 6 Maj, 2022

schedule 19:57 - 6 Maj, 2022

Komisioni i Rithemelimit të PD do të organizojë nesër protestë në të gjithë vendin për rastin e vetëvarjes së Ilvi Metës në Komisariatin e Kavajës.

“Një tjetër vendim i rëndësishëm është që nesër në gjithë Shqipërinë me organizimin e PD do ketë një protestë në heshtje për aktin e rëndë që ndodhi në Kavajë”, njoftoi Edi Paloka pasi u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar të PD.

Në raportin e publikuar nga Komiteti shqiptar i Helsinkit, thuhet se ngjarja e rëndë e ndodhur dy ditë më parë në komisariatin e Kavajës, ku vari veten i arrestuari Ilvi Meta, mund të ishte parandaluar. Sipas Komitetit të riut nuk i është nënshtruar asnjë kontroll apo vizitë nga mjeku, kjo e verifikuar edhe nga libri i vizitave mjekësore të mjekut, ku pasqyrohej vetëm konstatimi i vdekjes së tij. Konkretisht, në librin e dorëzimit të shërbimit, punonjësi përgjegjës ka identifikuar rrezikun për tentativë vetëvrasje të 31 vjeçarit Ilvi Meta.

Në këtë libër është shënuar si porosi për personin që do të merrte në turnin e radhës, se duhej t’i kushtohej një vëmendje e veçantë të arrestuarit Ilvi Meta, pasi ky i fundit mund të tentonte të vetëvritej. Në këto kushte, kontrolli mjekësor ndaj tij duhej të ishte realizuar menjëherë pas konstatimit të këtij fakti, thuhet në reagimin e Komitetit shqiptar të Helsinkit. Vëzhguesit e Komitetit, verifikuan nga afër edhe kushtet e dhomës së sigurisë ku ishte vendosur Ilvi Meta, prej nga rezultoi se ajo nuk përmbushte kriteret e parashikuara në ligj. Shufra metalike horizontale e zgavrës së qelisë nuk duhet të ishte më e lartë se 60 cm. Rezultoi se ajo ishte vendosur në një lartësi rreth 2 metër, gjë që krijonte mundësinë e vetëvarjes.

Vetëvrasja e të riut u konstatua nga shefi për mbikëqyrjen e dhomave të sigurisë, por ai nuk mund të hynte pasi nuk kishte çelësin e qelisë, të cilin e mbante përgjegjësi i dhomave të sigurisë, e pasi ai përfundonte orarin e shërbimin, çelësi mbahej në sallën operative të Komisariatit.

Për këtë ngjarje u arrestuan tre punonjës policie. Njëri prej tyre deklaroi se Metës nuk iu gjet gjatë kontrollit asnjë send i jashtëligjshëm, madje sipas tij as bluza nuk kishte kapuç. Tre efektivët e arrestua nesër dalin në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!