Verniku, porta hyrëse e emigrantëve nga Lindja në Shqipëri

schedule13:14 - 4 Qershor, 2018

schedule 13:14 - 4 Qershor, 2018

Shumë emigrantë ilegalë të vendeve të Lindjes hyjnë në Shqipëri nga fshati Vërnik. Shtetasit e huaj transportohen me taksi nga trafikantët grekë deri në kufi pastaj ecin në këmbë për në Vërnik. Destinacioni i shumë prej tyre janë vendet e BE-së.

Verniku po shërben si urë kalimi për emigrantët e paligjshem nga vendet e Lindjes.

Fshati ndodhet në afërsi të kufirit me Greqinë. Prej aty futen në territorin shqiptar.

Një nga banorët e zonës thotë se ka takuar dy emigrantë që kishin ecur 4 orë në këmbë dhe i ishin drejtuar kryeqytetit.

“Unë i kisha parë dy çuna të rinj që zbrisnin nga mali, u flas unë shqip dhe ata më tha a dinë anglisht?

-S’di

 -Bilishti ku është?

-Ku do ikni

-Tiranë, Tiranë, kemi 4 orë më këmbë”

Nga i njëjti vend, që quhet “shtegu i refugjatëve”, emigrantët nga Lindja, vijnë në Shqipëri, me shpresën për të arritur në vendet e BE.

Ndërsa shqiptarët kalojnë ilegalisht kufirin, për të punuar disa muaj në shtetin fqinj.

“Refugjatët rrugën e Vërnikut dhe atë rrugën te kodra matanë që i thonë rruga ku ikin refugjatët”.

Policia kufitare ka ndaluar gjatë dy muajve të fundit, më tepër se 70 emigrantë të paligjshëm, kryesisht sirianë dhe irakene.

Trafikantët grekë i sjellin me taksi deri në afërsi të kufirit, dhe më pas shtetasit e huaj vijojnë rrugën në këmbë, duke hyrë në brendësi të territorit tonë.

Shumica prej tyre, kërkojnë azil në Shqipëri. Të tjerët, pas kryerjes së procedurave, kthehen sërish në Greqi.

Pavarësisht rritjes së fluksit të emigrantëve të paligjshëm, kufiri i gjelbër, më së shumti, patrullohet në këmbë.

Për të parandaluar trafikimin e tyre drejt Malit të Zi dhe Kosovës, policia e Korçës ka ngritur në akset nacionale, postoblloqe me shërbim 24 orë.

Gazetare e ABC News: Daniela Zisi

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!