“Venecia” dhe skema për zgjedhjet, aleati i Bashës: Fraksionet nuk kanë shanse për diversion

schedule17:52 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 17:52 - 3 Dhjetor, 2020

Ndryshimi i formulës së koalicioneve ka pak gjasa të ndikojë në rezultatin zgjedhor”. Kështu u shpreh dje Komisioni i Venecias lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor që miratoi PS-ja duke i lënë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por çfarë mendon aleati i Lulzim Bashës për këtë? Kreu i PDBNJ, Vangjel Dule i ftuar në “ABC” përballë gazetarit Endri Xhafo u shpreh se rregullat e lojës nuk mund të ndryshohen nga njëra palë dhe kjo mund të jetë përcaktuese, pavarësisht opinionit të “Venecias”.

Kjo mund të jetë përcaktuese, por sidoqoftë, nuk është pranueshme që loja të përcaktohet vetëm nga njëra palë. Unë kam qenë së bashku me Ramën në opozitë dhe Berisha, e kishte praktikë, që opozitës i plotësoheshin të gjitha kërkesat në lidhje me Kodin Zgjedhor” tha ai.

Por nëse humbet zgjedhjet e 25 prillit, a do ta përdorë opozitë ndryshimin në Kod si alibi? “Kjo në vetvete, ndryshimi i ndodhur ngre pikëpyetjet jo në momentin zgjedhor apo pas zgjedhor, por që tani ka krijuar një klimë kontestimi. Rezultati do të jetë i atillë që nuk do të lejojë hapësira për kontestim, pasi fitorja e opozitës do të jetë bindëse dhe ai që do ta konstatojë dhe rregullat e vendosura nga vetë ai do të jetë Edi Rama”.

Lexo edhe: Dule: Kemi përfaqësues me influencë edhe në veri, PBDNJ sulmohet nga strukturat shtetërore

Por cfarë mendon Dule lidhur fraksionet brenda PD-së, partitë e reja që janë krijuar,  a i zbehin shanset për fitore? “Nuk e shikoj të kenë as shansin më të vogël për të krijuar diversion në elektoratin opozitar. Personalisht jam gjithmonë duke përshëndetur dhe uruar cdo iniciativë të re politike, jemi një klasë politike një sistem politik që karakterizohemi nga skleroza, cdo gjë e re e freskon, jep stimul, motivon edhe forcat më të vjetra dhe të mëdha.

Më shqetëson fakti që të vjetrën t’ia faturojnë palës tjetër, ndërkohë që mbajnë mbi supe një të kaluar me aspekte pozitive dhe negative, kontributeve dhe deficenca”. Një “thumb” Dule e kishte për Myslym Murrizin, që është një nga demokratët që do të garojë me një parti të re në zgjedhjet e ardhshme. “U përdorën dhe keqpërdorën nga Rama”.

Tashmë që “Venecia” ktheu përgjigje për Kodin Zgjedhor, Dule thotë se opozita e bashkuar ka lëvizur në drejtim të formulës me të cilën do të shkohet në zgjedhje, një apo dy lista. “Tani kemi një situatë, që nuk ka asnjë shans që të ketë një ndryshim në kuadrin ligjor dhe besoj që është momenti, ka filluar një lëvizje, do të kemi hapa konkretë. Në tavolinën e partive opozitare ekzistojë të gjitha variantet e mundshme, kandidim me një listë apo me dy lista. Mbetet vetëm vendimmarrja politike” tha ai./ db/Abcnews.al