“Vendos Kosovën në hartë”, artistët shqiptarë bëhen bashkë për peticionin drejtuar Apple

schedule08:20 - 20 Korrik, 2020

schedule 08:20 - 20 Korrik, 2020

Një peticion drejtuar kompanisë Apple që të vendosë emrin e Kosovës në aplikacionin “Apple Maps” dhe të caktohen qartë kufijtë me Serbinë, ka bërë bashkë shumë artistë shqiptarë. Ishte faqja “Balkanism” që iu drejtua Apple të ndryshojë hartën, dhe që më pas u shpërnda dhe nga artistja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa.

“Kosova është më shumë se thjesht një numër. Ajo ekziston dhe duhet të respektohet. Ju keni shumë përgjigje për të dhënë si për Palestinën ashtu edhe për Kosovën. Ne nuk do ta lejojmë të rrëshqasë më.”, thuhet në reagimin e “Balkanism”.

Më pas një sërë personazhesh publikë por edhe dhe fansa iu bashkuan këtij peticioni.  Rita Ora, Era Istrefi, Capital T, Gjiko, Melinda Ademi dhe shumë të tjerë kanë shpërndarë postimin në profilin e tyre, dhe deri më tani janë mbledhur gati 75 mijë firma.

Peticioni nisi pasi në “Apple Maps” vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë paraqitet ndryshe nga ajo që është përdorur për vendet e tjera.  Kufiri i shtetit tjetër shqiptar në hartë është i ngjyrosur me një rozë të lehtë gati të padallueshme, prandaj kanë qenë të shumtë ata që kanë firmosur një peticion për të vendosur Kosovën në hartën e Apple dhe shumë personazhe të njohur e kanë mbështetur këtë iniciativë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!