Vendimi për Kopshtin Botanik, pedagogë e studentë përpara gjykatës: Jemi për një kauzë të drejtë

schedule12:22 - 29 Tetor, 2019

schedule 12:22 - 29 Tetor, 2019

Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Shkencave dhe Natyrës protestojnë këtë të martë përpara Gjykatës Administrative të Apelit. Ata janë kundër vendimit të qeverisë për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë sot nëse Kopshti Botanik duhet të qëndrojë në pronësi të Universitetit të Tiranës apo të bashkisë.

Ndërkohë pedagogët dhe studentët kanë paralajmëruar përshkallëzim të protestave nëse gjykata vendos për kalimin e Kopshtit Botanik drejt Bashkisë së Tiranës. Gazetarja Ajgena Korbi raportoi për abcnews.al se ka një shkresë të sindikatës së punonjësve të FSHN sipas së cilës pedagogë dhe studentë janë shprehur kundër vendimit të qeverisë. Ata kanë depozituar një tjetër padi në Gjykatën Administrative, pasi kërkojnë të jenë palë e procesit gjyqësor ashtu sikurse është edhe Bashkia e Tiranës apo Ministria e Arsimit.

Pedagogët dhe studentët janë shprehur për kamerat e ABC News se do të protestojnë derisa të vendoset që Kopshti Botanik i takon Fakultetit të shkencave të Natyrës

“Do qëndrojmë derisa të zgjidhet problemi. Ne dimë që jemi për një kauzë të drejtë. Kopshti Botanik është pronë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës”, tha një pedagoge.

“Duam të mbrojmë Kopshtin Botanik sepse është e vetmja gjë ku mund të bëjmë praktikat. Presim nga gjykata që të marrë një vendim që Kopshti të jetë i joni”, u shpreh një studente.

Rreth orës 11:30 pedagogët dhe studentët marshuan drejt gjykatës për të kundërshtuar vendimin për dhënien e Kopshtit Botanik Bashkisë së Tiranës. Gjykata Administrative e Apelit do të vendosë sot nëse Kopshti Botanik duhet të qëndrojë në pronësi të Universitetit të Tiranës apo të bashkisë, siç ka vendosur qeveria.

Një ditë më parë një pjesë e studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të administratës të Fakultetit të Shkencave të Natyrës protestuan kundër Vendimit të Këshillit të Ministrave që i kalon në pronësi Bashkisë së Tiranës 15 ha tokë të Kopshtit Botanik.

Pedagogë e studentë kërkojnë që Kopshti Botanik të jetë në shërbim të procesit mësimor, ndërsa shprehen se qeveria vendosi t’ja kalojë bashkisë pa transparencë.

Më 9 tetor Gjykata Administrative e Apelit shtyu seancën për më 29 tetor pasi palët nën akuzë, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit nuk u paraqitën./abcnews.al