Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, Daci: U duhej anëtarëve të KQZ-së

schedule21:23 - 24 Qershor, 2019

schedule 21:23 - 24 Qershor, 2019

Juristi Jordan Daci deklaroi këtë të hënë se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të konfirmuar datën 30 Qershor i ka shërbyer vetëm anëtarëve të KQZ-së. Gjatë emisionit “Byro Politike” me Juli Xhokaxhi, Daci theksoi se vendimi i sotëm i duhej anëtarëve të KQZ-së që të mbroheshin nga përgjegjësitë penale, kur shpallën si antikushtetuese dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve.

“Kolegji sot për mendimin tim kishte një shans të jashtëzakonshëm për të dhënë një leksion kushtetutshmërie. Unë mendoj se ishte një kronikë e paralajmëruar. Unë mendoj se ishte një kërkesë tërësisht fiktive. Nuk vlen si precedent. Ky vendim kurrsesi nuk i cenon vlefshmërinë dhe detyrueshmërinë dekretit të Presidentit. Nuk ka asnjë lloj vlere. Do duhet të mos i paragjykojmë gjyqtarët se nuk dimë shkaqet. Ndoshta do dalin shkaqe që nuk kanë të bëjnë fare me dekretin e presidentit dhe për rrjedhojë nuk do kishte asnjë ndikim të tërthortë. Unë mendoj që më shumë ky vendim i duhej anëtarëve të KQZ-së që të mbroheshin nga një përgjegjësi penale e mundshme sepse të bësh atë që kanë bërë ata është gjëja më e papranueshme. Dhe një student nuk mund ta bëjë jo më një jurist i KQZ-së”, tha Daci.

Gjithashtu Daci theksoi se Kolegji Zgjedhor duhet të vendoste shpalljen e moskompetencës.

“Në kuadër të detyrimit procedural që ka Kolegji Zgjedhor si gjykatë, përtej faktit se ka lëndë të posaçme, i takonte që të bënte hetim të plotë dhe të gjithanshëm dhe të merrte parasysh faktet të njohura botërisht sikurse ishte dhe dekreti i presidentit. Këta gjyqtarë nuk mund të ishin shurdhë apo qorra që të mos dinin që për datën 30 ka një dekret i cili nuk ka zgjedhje dhe kjo nënkupton që ky Kolegj, kur nuk ka periudhë zgjedhore nuk mund të veprojë se nuk ka asnjë kompetencë lëndore dhe nuk mund të shqyrtonte fare. Pra apriori ky kolegj do duhet të vendoste në kushte normale shpalljen e moskompetencës dhe të thoshte që duhet të shkoni aty ku duhet të duartrokisni”, u shpreh ai.

Kolegji Zgjedhor konfirmoi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Trupa e gjyqtarëve rrëzoi këtë të hënë kërkesën e partisë Uniteti Kombëtar për ta çregjistruar nga zgjedhjet, duke i dhënë të drejtë KQZ-së, e cila e konsideron anulimin e zgjedhjeve nga Meta si një akt i pavlefshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!