Veliaj: Vijojmë investimet nëpër lagje

schedule13:44 - 15 Gusht, 2019

schedule 13:44 - 15 Gusht, 2019

Hapësirat e vogla mes lagjeve në Tiranë i janë nënshtruar rikonstruksionit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përsëriti thirrjen ndaj banorëve që të aplikojnë për të rehabilituar edhe fasadat e pallateve.

Kantiere ndërtimi ka hapur Bashkia e Tiranës në rrugët kryesore e jo vetëm. Investime po kryhen edhe në disa xhepa të vegjël siç i quan kryebashkiaku Erion Veliaj hapësirat midis blloqeve të banimit.

“Rruga “Sotir Peçi” është një prej tyre, pra në anën tjetër kemi “Rrugën e Durrësit”, që është aksi tregtar kryesor i Tiranës, ndërkohë sapo kalon rrugën midis bllokut të ambasadave, kemi këto xhepa. Ndaj, jam i lumtur që kemi shfrytëzuar verën, por edhe fondet e mbetura nga buxheti, për këto projekte të vogla nëpër lagje”, tha Veliaj.

Radhën e kanë fasadat e pallateve sipas kreut të bashkisë së Tiranës. Këtu kërkon ndihmën e banorëve të zonës që të nxitojnë të zgjedhin administratorin dhe të aplikojnë për “Fondin e Komunitetit”, për të bashkëfinancuar projektin me bashkinë.

“Lipset që banorët të organizohen e të caktojnë një administrator, dhe me administratorin t’ju japim prapë fonde, që të bëjmë edhe fasadat. Puna e bukur që është bërë në “Rrugën e Durrësit” me fasadat, do të duhet që ta bëjmë edhe në Rr. “Sotir Peçi” apo në të gjitha xhepat e tjera të Tiranës, duke e ndarë shpenzimin bashkë”, tha Veliaj.

Rikonstruksioni i rrugës “Sotir Peçi”, krahas asfaltimit të saj, përfshiu edhe rrjetin e ri të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e ndriçimit LED, trotuare, si dhe vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!