Veliaj me socialistët e Njësisë 7: Bashkë me Ramën, ambicia jonë, Shqipëria në 2030 të jetë anëtare e BE-së

schedule20:49 - 17 Qershor, 2024

schedule 20:49 - 17 Qershor, 2024

“Ambicia jonë është që Shqipëria në 2030 të jetë anëtare e BE”, ishte deklarata e Drejtuesit Politik të PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, gjatë takimit me strukturat e PS në Njësisë 7. Ai theksoi se objektivi i ssocialistëve është që të vijojnë me punët e nisura.

“Edhe kundërshtarët tanë janë në ditët e tyre më të mira, jetojnë në një qytet më të pastër, u vlen prona tre herë më shumë, mund të djegin goma dhe nuk u ndodh asgjë sepse ne, mbi të gjitha, jemi qytetarë, jemi Europianë, jemi tolerantë. Por, ama dimë edhe të mos mbytemi në betejat e ditës, dimë se si duhet çuar vendi përpara. Ndaj, ambicia jonë është për të bërë më shumë punë. Ambicia jonë është që në 2030 Shqipëria të jetë anëtare e BE-së. Vetëm Edi Rama dhe PS mund ta ngrejë atë flamur, nuk ka asnjë iluzion për këtë”, u shpreh ai.

Veliaj shtoi se kush ka bërë shtet dhe qytet në këto vite, do bëjë shtet dhe qytet edhe në vitet që vijnë. “Në 112 vjet nga Pavarësia jonë, kur kanë qenë ditët më të mira se këto që po jetojmë sot? Sa u shpall Pavarësia, për 6 muaj filloi pushtimi. Ismail Qemali u detyrua të shkonte në Itali. Kur patëm një shtet modest demokratik me Fan Nolin, zgjati 6 muaj, e dëbuan Nolin e shkoi në Amerikë. Kur patëm Princ Vidin, 6 muaj zgjati, e kthyem. Pastaj, erdhi fashizmi, nazizmi. Pastaj, komunizmi, pastaj kazino-kapitalizmi i Saliut. Ju kujtohet ajo, zapto kudo, Lanën, parqet. Ju kujtohet Parku Rinia? Ajo ishte terapia e shokut. Sot ta themi me kokën lart, prej Partisë Socialiste vendi po jeton ditët më të mira, por pikërisht se jemi socialistë më të mira akoma i kemi përpara”, tha ai.

Veliaj u shpreh se Njësia 7 është dëshmitare e ndryshimeve që kanë ndodhur në këto vite. “Te Njësia 7, duke filluar nga “Myslym Shyri”, nga rruga kryesore që është afër qendrës, është një nga zonat më të mëdha me AirBnb. Ka disa shkallë pallatesh ku ka më shumë të huaj sesa vendas. Dikur s’kishim puseta, nuk vinte autobusi në disa pjesë të njësisë. Shkollat tona ishin shkolla për burg, kopshti “Xixëllonja”, ishte tamam për xixëllonja se nuk shihje dritë, nuk shihje rreze, nuk kishte një gjë që të bënte një xixë të kuptonim ku ishim. Edhe burgjet i kishin bërë më të mira sesa kopshtet. Sot jemi në një ditë të jashtëzakonshme. Por, e dini çfarë? Nuk i bëri Zana e Malit. I bën një forcë që quhet Partia Socialiste e Shqipërisë, që di të bëjë qytet, që di të bëjë shtet, që di të ngrejë flamurin lart, që di të na bëjë krenarë”, theksoi Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!