Veliaj: Studentët përfitojnë 40 shërbime falas ose të reduktuara

schedule20:07 - 31 Janar, 2019

schedule 20:07 - 31 Janar, 2019

Gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, Kryebashkiaku i Tiranës, foli edhe për shërbimet që bashkia ofron për studentët. Veliaj sqaroi gjithashtu edhe deklaratat e opozitës për dhënie me koncesion të Tirana Parking.

Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës studentët përfitojnë rreth 40 shërbime falas ose me tarifa të reduktuara. Lidhur me kartën e studentit, Veliaj tha se ajo është tagër i universiteteve, por bëri një premtim nëse ajo i kalon si kompetencë bashkisë.

Por, me ligjin e ri, përgjegjësia për prodhimin e kartës studentore është e universitetit. Kam ofruar gatishmërinë time dhe me Ministrinë e Arsimit, që nëse universitetet nuk e prodhojnë dot, të na i kalojnë ne kompetencën dhe rikthehemi te plani fillestar, ku i bën bashkia për një javë”, tha Veliaj

Veliaj i quajti shpifje nga opozita zërat mbi koncesionin e parkingut në Tiranë. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për dhënie me koncesion, por për lehtësim të mënyrave të pagesës.

“Nuk e japim me koncesion se nuk jemi çmendur që të japim me koncesion një agjenci që mezi e krijuam, e cila po del shumë e dobishme për Bashkinë e Tiranës, Agjencinë e Tirana Parking. Por kemi pasur raste, si ai i ambasadorit tonë në Turqi, i cili thotë me të drejtë se me numrin tim turk nuk e paguaj dot parkimin me sms në Tiranë, edhe pse është shumë mirë kjo që e keni bërë me pagesë. Shumë njerëz, sidomos turistë, na kanë kërkuar që të ketë automate. Pra, thjesht kemi shtuar gamën e pagesave, siç e kemi bërë fundja me ujin dhe energjinë”, tha Veliaj.

Këshilltarët e PD-së nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ndërsa ata të LSI-së morën pjesë në mbledhje dhe bashkuan votat me socialistët në disa pika të rendit të ditës, kryesisht që kanë lidhje me shtresat në nevojë./abcnews.al