Veliaj: Qyteti ka nevojë të pastrohet edhe pas 30 qershorit, jo peng i aventurierëve

schedule12:33 - 23 Maj, 2019

schedule 12:33 - 23 Maj, 2019

Kryetari i Bashkisë së Tiranës mori pjesë në Konferencën Kombëtare “Forcimi i dialogut mbi financat e qeverisjes vendore”, organizuar nga Ministria e Financave. Veliaj tha gjatë fjalës së tij se zgjedhjet e 30 qershorit janë të rëndësishme për të vijuar mbarëvajtja e punëve në qytet.

Ministria e Financave prezantoi raportin zyrtar ku analizon tendencën dhe paraqitjen e financave publike vendore gjatë vitit të shkuar në një konferencë kombëtare që synonte forcimin e dialogut mes bashkive dhe qeverisë. Ky moment i dha mundësi kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj të bënte një thirrje për zgjedhjet e 30 qershorit.

“Shpresoj shumë që në 30 qershor të kemi alternativa konkrete se si mund t’i bëjmë qytetet tona më të mira. Le të mos i ngatërrojmë dramat e disa politikanëve me nevojat që ka qyteti për t’u pastruar çdo ditë, që të hapen çerdhet, kopshtet dhe shkollat, që qyteti të çelë sezonin turistik. Ne nuk mund të themi që për hir të partisë nuk do të pastrojmë Tiranën nesër sepse kështu kemi vendosur. Ndaj, këto 38 ditë është momenti për të reflektuar dhe duhet ta falenderoj publikisht USAID-in dhe Ministrinë e Financave që na ka dhënë dokumentin më të mirë të reflektimit dhe të përballjes me zgjedhësit tanë në 30 qershor”.

Nëse zgjedhjet nuk mbahen në datën e përcaktuar Veliaj thotë se pas kësaj date nuk mund të ofrohen shërbimet për qytetarët.

“Nuk jemi vetëm një turmë militantësh të kuq dhe blu, por jemi edhe njohës të ligjit, sepse kemi shërbyer 4 vite në bashkitë tona. Ju e dini fare mirë që mbas datës së betimit nuk mund të nënshkruajmë asgjë, as për hapjen e varreve të reja, sepse duam s’duam nesër do të ketë nevojë për varre të reja, as për të çuar qumështin, sepse duam s’duam ne, fëmijët duan të pijnë qumësht në çerdhe e kopshte, kështu që futemi në qorrsokak ligjor prej aventurierësh”.

Ndërkohë kryetari i bashkisë së Tiranës u bëri thirrje kryebashkiakëve të qyeteve të tjera të  shfrytëzojnë bashkëpunimin me komunitetin e biznesit për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet ndaj qytetarëve të tyre. /ABC news Albania 24/7