Veliaj: Protestuesit në Astir sillen nga rrethet

schedule11:34 - 17 Nëntor, 2018

schedule 11:34 - 17 Nëntor, 2018

Në ceremoninë e homazheve të 17 Nëntorit 1944, zhvilluar tek monumenti i Ushtarit të Panjohur në nder të dëshmorëve të rënë gjatë luftës, kreu i bashkisë Erion Veliaj hoqi një paralele mes banorëve të zonës së Astirit që protestojnë prej 14 ditësh kundër shembjes së shtëpive të tyre dhe fashistëve të larguar nga lufta për çlirimin e kryeqytetit 70 vjet më parë, duke e quajtur këtë si momenti reflektimi.

“Hera e parafundit që u dogjën goma ishte 17 nëntori 44, hera e fundit ishte para dy ditësh edhe në atë kohë kishte një minorancë që bashkëpunonte me nazizmin. Pardje u dogjën goma para bashkisë pas 74 viteve, jo nga pushtuesit apo zaptuesit, por nga ne vetë. Prandaj ky është moment reflektimi”.

Veliaj provoi të distancohej në retorikë nga të qënit politikan, me qëllim vetë-identifikimin si popull i thjeshtë dhe për të drejtuar kështu gishtin e akuzës nga cilësia që i mundëson karrigen e kryebashkiakut.

“Do kthehemi pas të flemë gjumë? Apo do të përveshim mëngët të përqafojmë njëri tjetrin dhe të mos lejojmë politikanët që të na përçajnë, për të na penguar në këtë rrugëtim. Kjo bëhet për të na sabotuar që ne të mos bëhemi pjesë e BE”.

Disa orë më vonë, Veliaj iu rikthye protestës së banorëve të Astirit gjatë një dëgjese për buxhetin e 2019 në Vaqarr, këtë herë me akuza për PD

“Shoh dje protestën për Unazën, s’kishte asnjë banor aty. Ishte e gjithë FRPD-ja dhe kryetari i PD-së së Burrelit. Vjen nga Burreli dhe proteston për rrugët në Tiranë. Pyetja që unë kam për PD: S’ku ka ngel asnjë simpatizant në Tiranë që mund të protestojë? Duhet patjetër ti sjellësh nga rrethet e tjera që të kundërshtoni punët në Tiranë?”

Duke folur për investimet e vitit të ardhshëm kryetari i Bashkisë tha se me poropozimin që autostrada Tiranë-Durrës të bëhet me pagesë, rëndësi do i kushtohet rehabilitimit të akseve pa pagesë siç është ai i Ndroqit.

“Me ministrin Gjiknuri do të  vazhdojmë rrugën nga Vaqarri aty ku e ka lënë bashkia dhe fillon rruga nacionale deri në Ndroq, që e gjithë zona të marri jetë dhe të ketë sot një damar ekonomik që në fakt e bën vetëm rruga.”

Gjatë listimit të projekteve infrastrukturore për Ndroqin, Veliaj nënvizoi se pas përfundimit të një sërë projektesh madhore për qytetin, zonat rurale do të kenë një vëmendje edhe më të madhe./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!