Veliaj pakt me ndërtuesit për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti

schedule19:10 - 23 Shtator, 2019

schedule 19:10 - 23 Shtator, 2019

“Adopto një shtëpi” është nisma që Bashkia e Tiranës nisi në bashkëpunim me shoqatën e ndërtuesve. Në një mbledhje të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, ndërtuesit iu përgjigjën pozitivisht apelit të Veliajt, duke u vetëofruar për të rikonstruktuar shtëpitë e dëmtuara nga lëkundjet e tërmetit që ra mesditën e së shtunës.

Pasi e ndihmuan në mandatin e tij të parë për të rikonstruktuar kopshtet e Tiranës, kryebashkiaku Veliaj i thirri edhe njëherë në ndihmë. Shoqatat e ndërtuesve iu përgjigjën pozitivisht apelit të kryebashkiakut të Tiranës “Adopto një shtëpi”, një përpjekje që do të kthejë në kohë rekordin normalitetin në shtëpitë e dëmtuara më shumë nga lëkundjet e tërmetit.

Kompanitë e ndërtimit do të riparojnë dëmet ose do të ndërtojnë nga e para shtëpitë private në zonat periferike dhe fshtrat e Tiranës, ndërkohë që për pallatet do të duhet të vendosin ekspertët nëse është dëmtuar apo jo struktura. Një zgjidhje do të ketë edhe për ato që njihen si pallatet sovjetike në zonën e Kombinatit në kryeqytet.

Veliaj nuk e fshehu krenarinë për ndërtesat e reja të cilat i rezistuan lëkundjeve të forta, ndërkohë që me një apel të fortë në mbledhjen e emergjencave civile kërkoi rikthimin e gjendjes së normalitetit.

Brenda dy ditëve grupet në terren do të inspektojnë të gjithë pallatet e dëmtuara, ndërkohë që më pas do të verifikohen edhe banesat private dhe bizneset. Në pallatet në të cilat janë konstatuar vetëm plasaritje që nuk kanë dëmtuar strukturën do të nis menjëherë rikonstruksioni i tyre. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!