TIRANË- Në prezantimin e projektbuxhetit 2026 kryeministri Edi Rama, foli për çështjen e Erion Veliajt. Rama tha se Veliaj u dërgua në qeli pa gjyq, ndërsa shtoi se drejtësia tregoi një sjellje disproporcionale. Kryeministri shtoi se Gjykata Kushtetuese refuzoi t’i hapë rrugë zgjedhjeve.
“Votën e marrë do ta kthejmë në dobi të çdo shqiptari, të çdo komuniteti, lagjeje apo qyteti. Për diskutimin për buxhetin duhet të ishte kryetari i Bashkisë, por ju e dini situatën. Është për të ardhur keq, por ne duhet të shohim përpara. Çfarë nuk thuhet për këtë vend, por jo vetëm për këtë vend e gjithë bota thuajse ndodhet në këtë situatë komplekse. Kur kryetari i bashkisë u mor nga zyra për t’u mbyllur në qeli, ngrita zërin duke thënë që kjo është disproporcionale. Për faktin se cila do qofshin arsyet pse drejtësia heton kryetarin e Bashkisë janë të pamjaftueshme sa kohë nuk është kapur në flagrancë duke bërë një krim, për ta lënë Tiranën kështu. Qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që ta drejtojë atë dhe është gjëja më normale. Gjykata Kushtetuese refuzoi t’i hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë. Vetë ka thënë që nuk mund të bëhen zgjedhje në Tiranë sepse ai është i zgjedhuri, atëherë duhet ta kthejë në zyrë. Ne këtu jemi për të bërë më të mirën për qytetin dhe të japim të gjithë një dorë në kushtet që ka një problem qyteti që është mungesa e personit që ka zgjedhur. Njerëzit që jetojnë në këtë qytet duan shërbimet. Gjë që ne duhet të bëjmë çmos që t’i kenë. Duke e vlerësuar maksimalisht rëndësinë e kësaj detyre jemi këtu bashkë me Ogertën që mbetet kandidatja jonë për të drejtuar Tiranën kur të vijnë zgjedhjet.
/abcnews.al/

