Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vizitoi një nga familjet e prekura nga tërmeti në Ndroq. Veliaj u shpreh se bashkia disponon dosjet për çdo rast dhe shume shpejt do të nisë të ndërhyrje.
Grupet e punës së emergjencave në Tiranë kanë përgatitur dosje të plotë për çdo banesë të dëmtuar. Kryebashkiaku Erion Veliaj e bëri të ditur ndërsa vizitoi një ndër familjet e prekura nga tërmeti në Ndroq.
“Grupi i emergjencave ka bërë një dosje për secilën shtëpi. Do thjeshtojmë procedurat e lejes, duhet të shfrytëzojmë kohën sa nuk kanë filluar shirat dhe s’ka ardhur i ftohti i dimrit, për t’u siguruar që një kompanie i varim në “qafë” një projekt dhe i themi: ke kaq muaj kohë ta dorëzosh, para Vitit të Ri. Po e bëmë me këtë ritëm, mund të ecim shumë shpejt”, tha Veliaj.
Puna për rikuperimin e dëmeve theksoi kryebashkiaku do të vijojë me mbështetjen dhe të sektorit privat.
“Do kemi brigadat e bashkisë për krahun e punës dhe donatorët për llaç dhe tulla. Inxhinierët, arkitektët dhe konstruktorët i kemi vetë dhe besoj se nëse bëjmë një partneritet publik-privat, siç kemi bërë për çerdhet, kopshtet, shkollat, ecim më shpejt. Një pakicë e njerëzve kanë alergji nga termi publik-privat, por këtu bashkimi sjell fuqinë. Ne mund të kemi 5 ekskavatorë, por bashkë me ta kemi 505; mund të kemi një brigadë me 100 veta, por bashkë me ta kemi 1100 veta”, tha Veliaj.
Në Ndroq, bashkia ka evidentuar rreth 22 shtëpi të dëmtuara dhe 8 me probleme më të moderuara./ABC News Albania 24/7