Veliaj në Napoli: Shqipëria, vendi ideal për të investuar

schedule15:01 - 19 Maj, 2018

schedule 15:01 - 19 Maj, 2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuari i nderit në edicionin e XIX të Konventës së Sipërmarrësve të Ndërtimit të Italisë, e mbajtur në Napoli. Kryebashkiaku Veliaj u takua me homologun De Magistris dhe ftoi sipërmarrësit italianë për të investuar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka ftuar sipërmarrësit italianë të investojnë në vendin tonë. Në Konventën e Sipërmarrësve të Ndërtimit mbajtur në Napoli, ku ishte i ftuar nderi Erion Veliaj ka prezantuar politikat lehtësuese për thithjen e investimeve të huaja.  

“Krahasuar me taksat italiane, që janë mbi 50%, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka taksat deri në 15%. Kjo do të thotë se për shumë investitorë italianë, që janë lodhur me taksat e burokracinë, Shqipëria është një vend ideal për të investuar. Vendi ynë është kompetitiv si në krahun e punës, ashtu edhe në mënyrën se si qeveria ka ofruar një paketë ideale të taksimit. Sot jemi në një situatë ku për investitorët strategjikë, të cilët investojnë në disa milionë euro, qeveria ofron një ulje të konsiderueshme të taksave. Pra, ishte një mënyrë për të prezantuar qytetin, por edhe incentivat e qeverisë për cilindo investitor që dëshiron të investojë në Tiranë”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjatë vizitës në Itali gjithashtu diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe social me kryetarin e Bashkisë së Napolit.

“Mezi pres ardhjen e Luigi de Magistris në Tiranë, për të nisur pas 500 vitesh një marrëdhënie të fortë me Napolin. Është detyrë e gjeneratës së re, në këtë vit të Skënderbeut, që këtë raport të veçantë me Napolin ta riafirmojmë dhe mënyra si mund ta bëjmë këtë është duke bërë një pjesë të shkëmbimeve të artifakteve, pjesë të kulturës, letra të Skënderbeut apo të një trashëgimie të 500 viteve më parë. Por sigurisht, duke hedhur themelet për punë të tjera në fusha si turizmi, agrikultura, teknologjia e informacionit”.

Konventën e Sipërmarrësve të Ndërtimit e themeluar që në vitin 1946 përbëhet nga rreth 20.000 kompani private, të specializuara në vepra publike, ndërtime për banesa, ndërtime tregtare apo industriale, etj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!