Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ftoi qytetarët që me 30 Qershor të votojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Kandidati socialist për një mandat të dytë e ndali fushatën elektorale në njësinë numër pesë.
Fushatën elektorale kandidati socialist për Tiranën Erion Veliaj e ndali në njësinë administrative numër pesë. Banorëve të kësaj zone iu dha një lajm të mirë.
“Lajmi i mirë është që tek ajo hapësira që shikoni aty, në krah të Parkut Olimpik, ne do të fillojmë ndërtimin e shkollës së re “Dritëro Agolli”në Njësinë Nr 5, një shkollë që është pjesë e 17 shkollave të reja, një shkollë që jam i bindur si shkolla “Kosova”si shkollat e tjera do jetë më e mirë në Republikë sepse çdo shkollë e re që bëjmë është më e mirë se ajo që kemi përfunduar”.
Në këtë pikë kryebashkiaku Veliaj u ndal për të bërë diferencën me demokratët.
“Para dy ditësh u dogj një shkollë në Shkodër, “Shenaze Juka”për të gjithë ata që janë nga shoqata e veteranëve dhe dëshmorëve për një vajzë partizane dhe për një mësuese. Nuk është lajm i mirë se i bie që në Shqipëri llogaria qenka zero, një ndërton shkolla dhe një i djeg. Një ndërton kënde lojërash dhe një i prish. Dhe po vazhduam me këto llogari atëherë i bie që në Shqipëri shuma është zero e çdo gjëje”.
Ndërkohë Veliaj ftoi qytetarët të dalin në votime me 30 Qershor duke theksuar se kjo është një ditë për të menduar për të ardhmen e fëmijëve të tyre./ABC News Albania 24/7