Veliaj mesazh demokratëve të Rrogozhinës: Kush djeg shtëpinë e tij, nuk rregullon dot hallet e tjetrit

schedule12:59 - 19 Korrik, 2023

schedule 12:59 - 19 Korrik, 2023

Nga Rrogozhina, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj u bëri thirrje demokratëve që të votojnë për kandidatin socialist, Edison Memolla. Veliaj nënvizoi gjatë një takimi në Kryevidh se, edhe vetë demokratët e kanë kuptuar që Saliu dhe Iliri shohin vetëm hallin e tyre.

“Unë po vij nga Tirana, Saliu vjen nga Gjiri i Lalëzit, bën një konferencë për shtyp dhe kthehet prapë në Gjirin e Lalëzit. Ilir Meta, që nga 14 Maji, nuk ka dalë më nga Gjiri i Lalëzit. Ia zuri Goni në fyt me humbjen në Shkodër. Këta kanë vetëm hallin e tyre. Në 40 gradë asnjëri prej tyre nuk doli nga shtëpia të takojë njerëzit. Në këtë kohë pushimesh, ne jemi të gjithë në fushatë, ata janë në Lalëz. Tani janë përçarë edhe me njëri-tjetrin. Një demokrati i them një gjë: A të kujtohet Janari parvjet? A të kujtohet kur u dogj selia e Partisë Demokratike. A të kujtohet kur një fraksion i gjuante me shkop bejsbolli një fraksioni tjetër? A të kujtohet kur një fraksion i gjuante me bomba molotov një fraksioni tjetër? A të kujtohet kur dogjën selinë e partisë së tyre? Mos kini asnjë iluzion. Kush djeg shtëpinë e tij, nuk bën dot hair për shtëpinë e tjetrit”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Berisha dhe Meta po mendojnë si do i përçajnë më tej njerëzit, përfshirë edhe ata brenda partisë së tyre. “Ata sot janë akoma duke menduar si do shqyhemi më shumë. E pashë që edhe nga fraksioni i Lulit dhe i vulës kishte dalë edhe Gazi me një fraksion tjetër. Nga Bashkimi për Fitoren ishte ndarë Ilir Meta, nuk duan t’i kenë këshilltarët bashkë. Ata e kanë mendjen si do i përçajnë njerëzit, përfshirë edhe partinë e tyre. Ne e kemi mendjen si do i bashkojmë njerëzit, si do i afrojmë njerëzit, si do mbjellim dashuri, jo inat, jo urrejtje. Si do mbjellim bashkim, jo përçarje. Ndaj, sot për të gjithë ata demokratë, për të gjithë ata që vërtet i kanë thirrur mendjes dhe e kanë kuptuar që e ata që djegin shtëpinë e tyre, nuk mund të rregullojnë shtëpinë tonë, nuk mund të rregullojnë hallet tona, dhe sot janë bashkuar me ne, unë ju them mirë se erdhët në fushatën tonë, në partinë tonë, në familjen tonë, në shoqërinë tonë”, deklaroi Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!