Veliaj: Ju kujtohen ndërtimet mbi Lanë? Ky është vizioni i opozitës për parqet

schedule14:45 - 11 Prill, 2023

schedule 14:45 - 11 Prill, 2023

Gjatë prezantimit të vizionit dhe strategjisë së zhvillimit për pesë vitet e ardhshme të Ujësjellës Kanalizime Tiranë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ironizoi kundërshtarët politikë kur tha se vizioni i tyre për qytetin është disko Krokodili në Parkun Rinia.

“Me afrimin e fushatës, rritet edhe niveli i populizmit. Të gjithë ishim duke pritur ide serioze, si mund të shkojnë punët e qytetit më mirë. E kuptoj që shumë prej tyre nuk ballafaqohen dot me Tiranën që kishte vetëm 10% ujë, kur ishte vetëm 1/29 e territorit. Sigurisht, nuk krahasohesh dot me Tiranën që ka sot 65% ujë 24 orë dhe është 29 herë më e madhe. Por, ajo që nuk kuptoj është ky sulm ndaj qytetit, jo Tiranës, jo ndaj bashkisë tonë, por sulm ndaj nocionit të qytetit, nocionit të bashkëjetesës.

Kur dëgjoj Sali Berishën dhe Ilir Metën, më kujtohet se ata e kishin në dorë menaxhimin e Ujësjellësit, e kishin në dorë edhe impiantin e ujërave të zeza, të cilin duhet ta dorëzonin gati, por krejt papritur e harxhuan shumicën e grantit japonez – harxhuan 90% të grantit për 30% të punës – dhe për këtë arsye, disa nga kandidatët u tërhoqën nga kritikat sepse e kuptuan se gjysmën e atyre që bënë burg për grantin japonez dhe për mënyrën si shkoi në djall ai projekti i ujërave të zeza të Tiranës, në fakt tani i kanë në listën për Këshillin Bashkiak të Ilir Metës dhe Sali Berishës”, tha Veliaj.

Mandej, kreu i Bashkisë tha se vizioni i opozitës për qytetin është: më i forti merr pjesën më të madhe për veten e tij.

“Nëse doni të keni një ide se çfarë vizionin kanë këta për qytetin, dëgjojini kur sulmojnë Rilindjen Urbane. Rilindja Urbane është një nga projektet më të bukura që ka pasur Shqipëria, një ide e Edi Ramës dhe e qeverisë shqiptare për të transformuar qendrat e qyteteve. Kur këta sulmojnë qytetet, kupton pak si i qasen hapësirës demokratike, cili është vizioni i tyre për qytetin. Kush ka jetuar në Tiranë, e mban mend Parkun Rinia? Ai ishte vizioni i tyre për qytetin.

O burra, turruni, kush të zaptojë më shumë hapësira. Ju kujtohet disko Krokodili? Disko Krokodili ishte vizioni i tyre për qytetin. Ju kujtohet Lana? Këta që duan ta bëjnë Lanën park sot, ju kujtohet kur ua dhamë mundësinë ta bënin Lanën park, se si ndërtimet mbi Lanë ishin mënyra si këta e imagjinonin Zvicrën, demokracinë, kapitalizmin? Ju kujtohet torta e 100 vjetorit të Pavarësisë? Ky është vizioni i tyre për politikën falas. Secili merr legenin e tij, govatën, kazanin, kovën e tij dhe kush është më i fortë kap më shumë nga torta, kush është më i fortë kap më shumë nga Parku Rinia, kush është më i fortë kap copën më të madhe të Lanës, kush është më i fortë vjedh më shumë ujë për të larë kalin e bardhë, meqë po flitet për transportin falas”, u shpreh Veliaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!