Për kryebashkiakun e Tiranës, zërat kundër ndërtimin të Teatrit të ri Kombetar, vijnë nga vetëdija e tyre se po u vu dorë do të dalë një xhevahir. Qëndrimin e tij, Veliaj e theksoi gjatë inaugurimit të përfundimit të punimeve të rikualifikimit urban në bllokun e banimit pranë ish-Nesherakut.
Kryebashkiaku i Tiranës i rikthehet sërisht çështjes së Teatrit Kombëtar. Në mbyllje të punimeve në bllokun e rrugës “Sali Butka”, ku veç rrugëve, trotuareve të reja dhe vendeve të parkimit, i janë shtuar hapësirat e gjelbra, këndet çlodhëse dhe argëtuese për fëmijët dhe të rriturit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi dhe deputeti i PS, Besnik Baraj, theksoi se ajo që e çon përpara qytetin është ndryshimi dhe modernizimi.
“Gjërat ndryshojnë se preken. Në një qytet filozofia nuk mund të jetë mos ma prek atë, mos ma prek këtë, por vër dorë, ndryshoje, rregulloje, modernizoje; kjo e çon para qytetin. E njëjta gjë edhe me historinë e teatrit. E dini pse thonë: mos ma prek? Sepse e dinë që po e prekëm ajo do dalë një vepër e mrekullueshme. E dinë se po vumë dorë, ajo do dalë një xhevahir. E dinë se po filluam ndërtimin e teatrit të ri, do të jemi të pandalshëm në modernizimin e Tiranës. Kjo është arsyeja e vërtetë. I tremben sepse çdo gjë që prekim me dorë, del më mirë”.
Krahas ndërtimit të 31 këndeve në kryeqytet, puna do të vijojë pa humbur kohë në çdo lagje të kryeqytetit.
“Ka ardhur koha që bashkia të merret me çdo qoshe. Ashtu siç kemi nisur me këto 31 kënde, ashtu të shkojmë deri në cepin më të humbur të Tiranës, nga Shëngjergji në Ndroq, nga Krraba në Kashar”.
Deputeti i PS, Besnik Baraj, përgëzoi kryebashkiakun Veliaj për punën në këto tre vite në shërbim të qytetarëve.
“Të vish tre herë brenda një kohe të shkurtër në një bllok të tillë në një qytet me 1 milion banorë, do të thotë se bashkia punon, se është ditë e natë në punë”.
Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi, edhe si banore e kësaj lagjeje të kryeqytetit, vlerësoi ndërhyrjen e bërë nga Bashkia e Tiranës.
“Si banore e lagjes them i pafshim hajrin këtij kryetari dhe të gjitha punëve sepse realisht na i ka ndryshuar jetën. Dalim çdo pasdite këtu me fëmijët dhe nuk shikojmë klubin më të afërt, por shikojmë parkun më të afërt ku të futemi”.
Në një kohë relativisht të shkurtër është bërë i mundur krijimi i tre shesheve në këtë zonë të Njësisë 7, duke mundësuar rikualifikim të plotë të bllokut urban./abcnews.al