TIRANË– Analisti i njohur Martin Leka, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, komentoi vendimin e Këshillit Bashkiak, i cili votoi pro shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ai theksoi se Veliaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen me kohë, dhe nuk kishte arsye ta çonte situatën deri në fazën e mbledhjes së këshillit.
“Duhet ta kishte dhënë dorëheqjen kur të gjithë drejtorët e tij u përfshin në aferën e ashtuquajtur “5d”. Fakti që sot detyrohet të shkarkohet, unë kam pasur besimin se ai deri sot do ta jepte dorëheqjen dhe nuk do ta lejonte këshillin bashkiak, të kthehej në një arenë.
Me shkarkimin e Veliajt, praktikisht është vetëm një firmë formale e Këshillit të Ministrave, unë besoj se ai betejën e ka më drejtësinë tashmë, kurse me PS, unë mendoj se i ka larë duart, por edhe me politikën. Vetëm nëse ai del i pafajshëm në fund të gjykimit. Betejën e ka personale me drejtësinë”, tha ai.
Sa i takon kundërshtimit të mundshëm të shkarkimit në Gjykatë, Leka tha se kjo do ishte një procedurë jo e favorshme për Veliajn.
Ai pohoi se të gjitha energjitë Veliaj duhet t’i përqendrojë në mbrojtje përballë akuzave të SPAK.
“Për mua është gabim pasi do krijonte dhe po e krijon një të ashtuquajtur një “luftë” brenda PS. Koha politike e tij ka perënduar, Veliaj duhet të përgatitet fort për mbrojtjen ligjore dhe të gjithë energjitë dhe potencialin e vet, përfshirë avokatë dhe mbrojtësit ligjorë, t’i përkushtohen akuzave të rënda që ka ai nga SPAK dhe drejtësia shqiptare. Nuk ka rrugë tjetër.”, tha ai/abcnews.al

