Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka vijuar fushatën për një mandat të dyte në krye të bashkisë së kryeqytetit në një takim me administratorët e pallateve. Gjatë bashkëbisedimit me ta, Veliaj krahasoi dhunën ndaj KZAZ-ve me sulmet e Ku Klux Klanit ndërsa opozitën me lëvizjen e Haxhi Qamilit.
Dhunën e opozitës ndaj Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve kryebashkiaku i Tiranës njëkohësisht kandidat i socialistëve për një mandat të dytë në kryeqytet Erion Veliaj e krahasoi me sulmet e Ku Klux Klan-it, organizatës ekstreme të djathtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kur një kryetar bashkie mobilizon të gjithë njerëzit, komplet si ‘Ku Klux Klan’, me zjarr në dorë, për të djegur shkolla, për të djegur sakrificën e atyre përpara nesh, edhe ka shumë njerëz që ndoshta me të drejtë edhe kanë thënë këta janë frustruar, këta janë të mërzitur, por a është kjo mënyra për të treguar që ne jemi mërzitur”, tha ai.
Ndërsa për veprimet e deputetëve të opozitës, Veliaj tha se janë si lëvizja e Haxhi Qamilit.
“Bëhet fjalë për vitin 1913-1914, Shqipëria kishte Princ Vidin, i cili në periudhën e administrimit pas Perandorisë Osmane, pas një pushtimi 500-vjeçar filloi reformat e veta dhe kishte një grup njerëzish që thoshin: – Duam babën, duam të shkojmë atje ku ishim 500-vjet. Zot, a nuk është për t’u habitur se si përsëritet historia, që ka njerëz që thonë prapë – Duam babën. Por tani jo ai ‘baba në Stamboll’, por ‘baba Saliu’, ‘baba i Lulit’. “Duam babën”, po mirë po fëmijë ke? Po shkollë për fëmijët do kërkosh? Dakord do sakrifikosh për ‘babën’, por do djegësh shkollën e fëmijëve të tu, se ata fëmijët e tyre i kanë të gjithë jashtë”, tha Veliaj.
Veliaj i bëri këto deklarata në një takim me administratorët e pallateve në Tiranë të cilëve iu kërkoi të informojnë qytetarët për ndëshkimet që i presin nëse prishnin procesin zgjedhor.
“Nëse ka njerëz në komunitetin tuaj, te kafja poshtë pallatit, që vazhdojnë me këtë frymë, duhet të bëjmë një bisedë të qetë, siç flasim në shtëpi, dhe t’u themi: je gati të bësh 1 deri në 5 vite burg? Sot kalon Kodi Penal në Parlament, nëse je gati që për banjën e 13 të maces së Ilirit në Lalz të bësh burg, ta shtoftë zoti inatin, shko bëj burg, se nuk qenke i denjë të qëndrosh mes nesh”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu kushdo që tenton të pengojë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e votës apo prish zgjedhjet nuk do të ketë mundësi të udhëtojë jashtë Shqipërisë për një periudhë 10-vjeçare./ABC News Albania 24/7