Parku i Liqenit të Farkës ka nisur të marrë formë, si një tjetër hapësirë çlodhëse për banorët e Tiranës, por edhe pjesë e gjurmës ku do të kalojë Pylli Orbital. Aksionit për gjelbërimin e qytetit kësaj here iu bashkua edhe këngëtari Noizy, i cili mbolli disa pemë sëbashku me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Dëshirën për të mbjellë pemë e ka shprehur edhe këngëtari Noizy. Së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjelbëruan parkun e Liqenit të Farkës. Ata i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk i janë bashkuar nismës, që të shfrytëzojnë 10 ditët e fundit për të mbjellë pemë.
“Sot është një ditë fantastike për të mbjellë pemë, për të qenë këtu me shokë e miq, që i çmojmë jashtë mase. I jam mirënjohës Intermedika-s që na dhuroi pemët. E vlerësoj jashtë mase që kanë zgjedhur që përgjegjshmërinë e tyre sociale, ta përkthejnë në gjelbërim për qytetin. Patjetër që korporatat e bizneset kërkojnë të bëjnë biznes dhe të jenë sipërmarrje fitimprurëse, por e ndajnë këtë fitim me komunitetin dhe mënyra më e mirë për t’ia dhënë mbrapsht komunitetit është duke dhuruar fidanë, të cilët nesër do e kthejnë parkun e Farkës në një park të ngjashëm me Parkun e Liqenit”, u shpreh Veliaj.
Shembullin e Noizy-t, kreu i bashkisë kërkoi që ta ndjekin të gjithë të rinjtë.
“Jam posaçërisht i lumtur që një nga miqtë e mi më të mirë, Noizy, na u bashkua me punë vullnetare, sepse edhe ai beson që një artist i mirë është edhe qytetar i mirë. Noizy jo vetëm është një artist i shkëlqyer, por edhe një çun i mirë. Për të gjithë të rinjtë që mendojnë se njeriu ka vetëm një dimension, besoj se Noizy është prova e gjallë që një njeri i mirë dhe i aftë mund të bëjë shumë gjëra, mund të jetë një shembull në art, për rininë, një shembull për qytetin, edhe duke bërë punë vullnetare. Për këdo që thotë nuk më del koha, Noizy është prova se koha del për të gjitha, në qoftë e ndan mendjen për të bërë mirë. Një frymëzim i tillë i duhet sot të rinjve shqiptarë”, u shpreh Veliaj.
Apelin të rinjve ia drejtoi edhe këngëtari Noizy.
“Nëse unë kam frymëzuar shumë të rinj, edhe ata në moshë disi më të re, do t’ju lutesha të gjithëve që të mbjellin një fidan, qoftë edhe në oborrin tuaj, nuk do të ishte keq, madje diçka shumë e bukur për një qytet të ngarkuar si Tirana. Ndaj, pse jo! Nëse unë jam frymëzim për ju, atëherë ju bëj thirrje të gjithë të rinjve që të kontribuoni sadopak për këtë ndryshim që Shqipëria ka nevojë”, u shpreh Noizy.
Ndërkaq, kryetari Veliaj tha se puna që po bëhet sot me gjelbërimin e Tiranës do të jetë paja më e mirë për brezat që vijnë pas. Për këtë ai solli shembullin e krijimit të Parkut të Madh të Liqenit. Ai bëri të ditur se deri më tani procesi i mbjelljeve ka ecur shumë mirë dhe se deri në 21 Mars do të arrihet rekordi prej 100 mijë pemë të mbjella./abcnews.al