Veliaj: Bashkëpunim me Suedinë për Teknologjinë e Inovacionit

schedule15:20 - 9 Korrik, 2019

schedule 15:20 - 9 Korrik, 2019

Bashkia e Tiranës dhe ajo e Lundit në Suedi do të kurozërojnë si projekt të parë të bashkëpunimit mes tyre, atë për Piramidën. Gjatë takimit që kryebashkiaku Erion Veliaj pati me homologun suedez, u diskutua për disa projekte në fushën e teknologjisë.

Tirana dhe Lundi në Suedi bashkëpunim për teknologjinë e inovacionit.

Tirana dhe Bashkia e Lundit në Suedi do të bashkëpunojnë në fushën e teknologjisë së inovacionit. Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë një takimit që zhvilloi me homologun suedez, Philip Sandberg, tha se një nga bashkëpunimet më të afërta mes Tiranës dhe Lundit do të jetë projekti i Piramidës, e cila do të kthehet në qendër inovacioni.

 “Qyteti i Lundit është shembull në Evropë për mënyrën se si funksionon nga ana e urbanistikës, por edhe për gjithë inovacionin e inkurajuar vitet e fundit. Është një nga qytetet më progresive sot në Evropë. Për ata që s’e dinë, Lundi është qyteti ku është shpikur bluetooth-i, qyteti që ka shpikur ‘face recognition’, pra shumë prej kërkimeve shkencore të teknologjisë janë bërë në Lund. Ndaj besoj se një ide konkrete ku mund të punojmë me kryetarin e bashkisë është projekti ynë i Piramidës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Lundit në Suedi, Philip Sandberg u shpreh i impresionuar për  transformimin e thellë që ka pësuar Tirana vitet e fundit.

“Kur isha në Tiranë për herë të fundit kishte shumë trafik, sheshi ishte një rreth rrotullim i madh. Tani shoh që plani për qytetin është i bazuar më së shumti te njerëzit, te pemët, te rrugët periferike, ashtu si në Suedi. Edhe ne atje kemi punuar shumë fort për të bërë një planifikim për qytetin që fokusohet te njerëzit, jo te makinat. Jam shumë i impresionuar nga kjo punë, shpresoj që të vazhdojë dhe ta bëjë një qytet miqësor për vizitorët dhe të huajt që vizitojnë Tiranën”, tha Philip Sandberg kryebashkiaku i Lundit në Suedi.

Në shenjë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy qyteteve, kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj i dhuroi Kullën e Sahatit kryebashkiakut të Lundit, Philip Sandberg, ndërsa dy kryebashkiakët mbollën edhe një pemë në Parkun Evropa./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!