Vdiq nga apo me Covid-19: Më shumë transparencë për viktimat e pandemisë

schedule09:57 - 24 Nëntor, 2020

schedule 09:57 - 24 Nëntor, 2020

Nga Daniel Pockett, The Conversation

Numri i viktimave nga COVID-19 raportohet çdo ditë nga qeveritë e shtetit dhe ato federale. Këto të dhëna ndihmojnë në vlerësimin e ecurisë së politikave të shëndetit publik për kontrollin e pandemisë dhe për të vlerësuar suksesin e ilaçeve të ndryshme.

Megjithatë, ka pasur konfuzion nëse statistikat e raportuara të viktimave pasqyrojnë ata persona që kanë vdekur me COVID-19, ose ata që kanë vdekur nga virusi. Shpeshherë është e vështirë për punonjësit shëndetësorë të përcaktojnë se në cilën prej këtyre kategorive duhet të përfshijnë një person i cili ka humbur jetën si pasojë e Covid-19.

Por numri i viktimave i publikuar çdo ditë në faqet e internetit të qeverisë  dhe  në shtyp nuk ka asnjë dallim midis tyre.

Aty përfshihen të gjithë njerëzit që kanë vdekur me SARS-CoV-2 (virusi që shkakton COVID-19). Është e paqartë nëse qeveria federale aktualisht arrin të kuptojë ndryshimin midis të dyjave.

Grumbullimi i këtyre statistikave së bashku e bën të vështirë për publikun të kuptojë ndikimin e vërtetë të virusit. Sqarimi i asaj që llogaritet si vdekje nga COVID-19 është i nevojshëm për të kuptuar ndikimin e virusit, për informimin e shëndetit publik dhe për reagimin ndaj pandemisë.

Nëse e dimë se dikush është më i rrezikuar të vdesë për shkak të kushteve para-ekzistuese, përgjigjja nga  shëndeti publik mund të synojë dhe mbrojë në mënyrë më efektive njerëzit dhe komunitetet që janë më të rrezikuar, transmeton abcnews.al

Sigurisht që kjo nuk është një arsye për të minimizuar seriozitetin e virusit, por përkundrazi  angazhimi i shëndetit publik kërkon transparencë të të dhënave të shkakut të vdekjes, veçanërisht në një pandemi. Prandaj, kërkohet një qasje transparente për numërimin dhe raportimin e vdekjeve nga Covid-19 në Australi.

Zëvendës shefi mjekësor  Nick Coatsworth pranoi se të përcaktosh shkakun e vdekjes është diçka komplekse.

Në një konferencë para gazetarëve ai tha: Më kujtohet kur fillova detyrën si mjek, duke u përpjekur të bëja certifikata vdekjeje – nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ne nuk duhet kurrsesi të minimizojmë apo nënvlerësojmë  ndikimin e rëndë që ka COVID-19 tek njerëzit që kanë sëmundje të tjera ekzistuese.

 

Në të vërtetë, të bësh dallimin midis vdekjes me dhe nga COVID-19 mund të kërkojë një hetim më të gjerë, përveç një testi pozitiv.

Për shembull, mjeku ligjor i Victoria aktualisht po heton vdekjen e një të riu në të njëzetat e tij, i cili u raportua si viktima më e re e Australisë nga koronavirusi. Mjeku  po heton nëse vdekja e tij ishte shkaktuar kryesisht nga SARS-CoV-2, ose nëse virusi kontribuoi më shumë në vdekjen e tij.

Ndërsa viktima u raportua më 14 gusht në numrin e përditshëm të vdekjeve të Victoria, sipas The Sydney Morning Herald , që nga 28 gushti nuk ishte llogaritur në numrin federal të vdekjeve. Mbetet e paqartë nëse ky rast i është shtuar numërimit federal sot.

Në përgjithësi, kur një person vdes, një mjek është përgjegjës për të treguar shkakun e vdekjes. Mjeku do të plotësojë një “certifikatë mjekësore të shkakut të vdekjes” dhe do të informojë regjistrin e lindjeve, vdekjeve dhe martesave në shtetin përkatës.

Në disa rrethana, shkaku i vdekjes mund të raportohet edhe nga një mjek, por ata zakonisht hetojnë vdekjet që ndodhin papritur, të dhunshme ose aksidentale, ose që ndodhin gjatë ose pas procedurave mjekësore.

Shkaku i vdekjes mund të jetë fillimisht i paqartë në fillim të një hetimi koronial. Ndonjëherë, shkaku i  vdekjes mund të jetë i shumëfishtë, ndërsa herë të tjera ai mund të ndryshojë kur zbulohen më shumë informacione, për shembull përmes një ekzaminimi pas vdekjes ose testeve toksikologjike, ose kur zbulohet  një informacion i ri se si  virusi ndikon në organizmin e njeriut.

Ne nuk e dimë normën e saktë të vdekjeve

 

Mungesa e raporteve të shkakut të viktimave në Australi do të thotë se shkalla e vërtetë e vdekshmërisë mund të jetë e panjohur dhe mund të rregullohet në të ardhmen .

Për shembull, më 31 gusht Victoria regjistroi vetëm tetë viktima  në 24 orë por gjithashtu shtoi në raportin e viktimave edhe  33 viktima të tjera.

Sipas Zyrtarit Kryesor të Shëndetit të shtetit Brett Sutton, ky numër i madh ishte për shkak të ndryshimeve në mënyrën se si  punonjësit  e kujdesit raportuan viktimat për shkak të  COVID-19 dhe ndryshimeve në metodat e raportimit midis shtetit dhe qeverive federale.

Më 4 shtator u raportuan 6 viktima  gjatë 24-orëve por u shtuan edhe 53 viktima të tjera në raportin ditor. Ekziston një mungesë transparence se pse ka një mospërputhje midis asaj se si Victoria dhe Commonwealth përcaktojnë numrin e saktë të viktimave nga Covid-19.

Një zëdhënës i Kujdesit Shëndetësor Richard Colbeck sugjeroi se vonesat në mbledhjen dhe raportimin e të dhënave janë arsyet kryesore për mospërputhjet në raportimin e saktë të numrit të viktimave.

Vonesat mund të jenë shkaktuar nga personeli që kujdeset për të moshuarit që përpiqen të verifikojnë jo vetëm banorët që vdiqën nga COVID-19, por edhe ata që dyshohet se kanë vdekur me Covid-19.

Qeveria e Victorias dhe Commonwealth  po punojnë  në procesin  e  raportimit të viktimave nga COVID-19. Por mund të kalojnë muaj ose vite para se të dhënat rreth viktimave  të mund të analizohen.

Ndërkohë, ne kemi nevojë për më shumë detaje në lidhje me atë që raportohet në të dhënat e përditshme të viktimave për shkak të  COVID-19 dhe qeveritë duhet të jenë transparente në lidhje me atë që llogaritet ose jo si vdekje nga COVID-19. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al